Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Muzeu i ri i Holokaustit në Melburn

U deshën dhjetë vjet për të konceptuar dhe ndërtuar dhe në mes të nëntorit Muzeu i Holokaustit në Melburn më në fund hapi dyert e tij.

Ekspozitat e reja nderojnë të mbijetuarit e një prej ngjarjeve më të tmerrshme në historinë botërore, me mësime ende të rëndësishme edhe sot e kësaj dite.

Pesha e historisë është pothuajse e dukshme sapo të hyni në Muzeun e Holokaustit në Melburn.

Dhe është falë të mbijetuarve si 99-vjeçari Abram Goldberg, që kjo histori nuk harrohet.

Edhe sot e kësaj dite, Goldberg ende i kujton fjalët e fundit që ia tha nëna e tij në vitin 1944, në kampin e përqendrimit të Aushvicit.

“Abram, duhet të bësh gjithçka që është e mundur për të mbijetuar dhe kur të mbijetosh, kudo që të gjesh veten, duhet t’i tregosh botës dhe njerëzve të botës se çfarë ndodhi në të vërtetë me ne”, kujton Goldberg, i mbijetuari i Holokaustit.

Muzeu i ri është pesë kate dhe vizitorët do të lexojnë dhe shohin 1300 dëshmi të të mbijetuarve dhe 12 mijë artefakte historike.

Nëpërmjet ekspozitave të ndryshme, vizitorët mund ta përjetojnë jetën hebraike përpara fillimit të luftës…dhe më pas pasojat shkatërruese të Gjermanisë naziste dhe Holokaustit deri në tregimet e të mbijetuarve të pasluftës për triumfin ndaj urrejtjes, si ky i Goldbergut.

“Kjo është ajo që ia kam kushtuar jetën time, dhe jam i sigurt se nëna ime do të ishte krenare”, thotë ai.

Për Goldbergun, këto mesazhe janë edhe më të rëndësishme sot me tensionet në rritje.

“Racizmi, antisemitizmi po nxjerrin sërish kokën e shëmtuar dhe unë jam ende duke luftuar, deri në ditën e fundit të jetës sime”, thotë Goldberg.

Si çdo muze, edhe këto ekspozita flasin për të kaluarën, por mësimet e nxjerra këtu janë për brezat e ardhshëm.

Artikuj të ngjashëm