Përderisa muzetë e tjerë në Holandë mbulojnë aspekte të historisë së Holokaustit – të tilla si Shtëpia e Anne Frank, ose muzetë që fokusohen në Luftën e Dytë Botërore më gjerësisht – Muzeu Kombëtar i Holokaustit është institucioni i parë i përkushtuar për të treguar historinë e plotë të persekutimit të hebrenjve në Holandë
Tri fytyra shikojnë ftohtë nga fotot e pasaportës me ngjyrë të zbehur nga koha, të ngjitura rastësisht në një kartolinë për një marrës të panjohur. Ata ndoshta janë dy prindër dhe djali i tyre, por këtë nuk do ta dimë kurrë me siguri. Nën fotot e tyre është shkruar me dorë: “Mos na harroni!”
Është e paqartë data e dërgimit të kësaj kartoline. Por vlera e saj ka ndihmuar në formimin e koleksionit të përhershëm në Muzeun Kombëtar të Holokaustit në Amsterdam, i cili hapet për publikun javën e ardhshme. Institucioni i ri ka qenë në punë për gati 20 vjet, kohë gjatë së cilës projekti kapërceu skepticizmin e vazhdueshëm, pjesërisht i nxitur nga hezitimi për t’u përballur me këtë pjesë të historisë holandeze.
“Mendoj se është një mbetje e një shqetësimi të ndier prej kohësh në Holandë, duke pranuar atë që ndodhi”, ka thënë Emile Schrijver, drejtor i përgjithshëm i Muzeut Kombëtar të Holokaustit.
Përderisa muzetë e tjerë në Holandë mbulojnë aspekte të historisë së Holokaustit – të tilla si Shtëpia e Anne Frank, ose muzetë që fokusohen në Luftën e Dytë Botërore më gjerësisht – Muzeu Kombëtar i Holokaustit është institucioni i parë i përkushtuar për të treguar historinë e plotë të persekutimit të hebrenjve në Holandë.
“Përqafimi kolektiv i faktit se fati i hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore ndryshonte thellësisht nga fati i Holandës, që mori një kohë shumë të gjatë”, ka thënë Schrijver, duke shtuar se hapja e këtij muzeu “është një lloj finalizimi ndaj një procesi pranimi”.
Edhe
Muzeu i Holokaustit në Greqi pas dy vjetësh do të hapet në Selanik
Në Holandë nazistët dëbuan 75 për qind të popullsisë hebraike të vendit në kampet e përqendrimit, përqindja më e lartë e tillë në Evropën Perëndimore. Muzeu i ri synon t'i përgjigjet pyetjes se si një grup kaq i madh njerëzish – 102 mijë hebrenj, por edhe 220 romë, të njohur gjithashtu si romë dhe sinti – mund të shkëputen nga jeta e tyre e përditshme dhe si dukeshin ato jetë më herët dhe pas luftës, nëse mbijetuan.
Një pjesë e përgjigjes qëndron në burokracinë brutale të instaluar nga nazistët gjatë pushtimit të tyre dhe të kryer nga civilë dhe zyrtarë holandezë. Në katin e dytë të Muzeut, një varg dërrmues fjalësh që përshkruajnë ligjet kundër hebrenjve holandezë janë ngjitur nëpër mure, të pashmangshme dhe të thella.
Këto shkrime nëpër muze gjinden ngado, të qasshme për vizitorët, pavarësisht nëse ata planifikojnë t’i lexojnë ato apo jo. 11 nëntor 1941: Hebrenjtë nuk lejohen më të marrin pjesë në klubet e tenisit, të vallëzimit ose bridge. 11 qershor 1942: Hebrenjtë nuk mund të blejnë më në tregjet e peshkut. 12 qershor 1942: Hebrenjtë duhet t’i dorëzojnë biçikletat e tyre. 15 shtator 1942: Studentëve hebrenj u ndalohet hyrja në universitete.
Duke ecur “ju ndjeni shtypjen dhe çmontimin e shtetit të së drejtës dhe lirisë për çdo hebre”, ka thënë Annemiek Gringold, kuratorja kryesore e muzeut. “Ky krim, sado i kapur mjeshtërisht në tekstin gjyqësor, është gjithmonë i pranishëm”.
Në galeritë e Muzeut jetët e hebrenjve holandezë shpalosen si ekspozita duke përfshirë veshje, bizhuteri, valixhe dhe sende të tjera. Synimi, sipas Gringold, ishte të portretizonte njerëzit si individë të plotë, dhe jo vetëm si viktima.
“Kjo është mënyra e vetme për të vënë drejtësi për kujtesën e dikujt”, ka thëne Gringold. “Përndryshe, dikush mund të reduktohet vetëm në atë që nazistët i bënë. Ne nuk e duam këtë”, është shprehur Gringold.
Ndërgjegjësimi për historinë është bërë tashmë pjesë e shoqërisë holandeze, duke përfshirë kërkimfaljet nga qeveria dhe familja mbretërore për Holokaustin, si dhe për rolin e vendit në tregtinë e skllevërve.
Gringold ka thënë se ajo fillimisht propozoi hapjen e një muzeu kombëtar të Holokaustit në vitin 2005, por, në atë kohë, shumë njerëz kishin vënë në dyshim nëse një muze i tillë ishte i nevojshëm apo jo. Që prej 2015, “The Jewish Cultural Quarter”, organizata që drejton Muzeun, ka organizuar ekspozita të përkohshme në hapësirën që tani është shndërruar në muze. Por ekspozitat pop-up nuk ishin të mjaftueshme për të treguar të gjithë historinë, thanë drejtuesit e Muzeut. “Jewish Cultural Quarter” e bleu ndërtesën në vitin 2021 dhe filloi rinovimet për ta kthyer atë në një hapësirë për të paraqitur një koleksion të përhershëm.
Edhe
Muzeu i ri i Holokaustit në Melburn
Ndërtesa – një ish-shkollë – qëndron përballë një teatri që nazistët e kishin kthyer në një qendër të madhe dëbimi, pranë një çerdheje ku mbaheshin fëmijët hebrenj përpara se të dërgoheshin në kampet e përqendrimit.
Ambientet e brendshme të Muzeut, të cilat u rikonstruktuan nga arkitektët e “Office Winhov” me bazë në Amsterdam, ndriçohen nga drita natyrale, e filtruar nëpërmjet grilave gri. Kjo del si referencë e qëllimshme se si nazistët kryen mizoritë e tyre në mes të ditës, për t’i parë të gjithë.
Arkitekti dhe artisti Daniel Libeskind, i cili nuk ishte i përfshirë në këtë projekt, por që ka projektuar disa memorialë dhe muze të mëdhenj të Holokaustit, në Berlin dhe Amsterdam, ka thënë se gjatë gjithë karrierës së tij ai ishte përballur edhe me skepticizëm. Për një kohë të gjatë pas luftës ishte e vështirë për njerëzit të përballeshin me hijet e së kaluarës së tyre, ka thënë Libeskind, dhe krijimi i institucioneve të rikujtimit ia la si barrë brezave të mëvonshëm.
Të mbijetuarit holandezë të Holokaustit thanë se hapja e këtij muzeu është një moment i rëndësishëm historik.
“Jap mësim në shkolla për Luftën e Dytë Botërore dhe gjithmonë dëgjoj se sa pak kohë harxhohet për Holokaustin”, ka thënë Salo Muller, i cili i mbijetoi luftës duke u fshehur si gjashtëvjeçar në vitin 1942. Ai ishte ndarë nga prindërit e tij pas një bastisjeje nga nazistët, dhe u dërgua në çerdhen pranë muzeut, por luftëtarët e rezistencës e ndihmuan të arratisej. Ai nuk i pa më prindërit e tij.
Pas një vizite të fundit në Muze, para hapjes publike, Muller ka thënë se ndihej shumë i emocionuar. “Kur eci nëpër objekt, më kalojnë shumë gjëra nëpër kokë”, ka thënë ai. “Familja ime ishte këtu dhe u dëbua. Prindërit e mi, gjyshërit, xhaxhallarët dhe kushërinjtë e mi. Më prek shumë ky fakt”.
Në fund të koleksionit, i cili përfshin gjithashtu videodëshmi të të mbijetuarve, si dhe foto dhe video nga kampet e shfarosjes, vizitorët më në fund ndeshen me ato foto pasaporte të tre personave anonimë që kërkuan të mos harrohen, por emrat e të cilëve u humbën në histori.
Edhe
Zëri i viktimave të harruara të Holokaustit thërret për ndërgjegjësim
Muzeu përdori pikërisht atë imperativ – “na kujto!” – si pjesë e mesazhit të tij, ka thënë Gringold, kuratore. Kur një vizitor përballet me këta tre individë, është pothuajse e pamundur të mos kujtohet. “Nuk mund të thuash më se nuk e dinit”, ka thënë Gringold. “Tani e dini”.
Marrë nga “The New York Times”. Përktheu: Enis Bytyqi