Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Përkujtimi shkarazi i Holokaustit ndaj romëve

Disa dekada kaluan derisa Dita Evropiane e Përkujtimit të Holokaustit ndaj Romëve u bë një ditë zyrtare përkujtimi në Gjermani dhe në Evropë, e cila shënohet çdo vit më 2 gusht

Disa dekada kaluan derisa Dita Evropiane e Përkujtimit të Holokaustit ndaj Romëve u bë një ditë zyrtare përkujtimi në Gjermani dhe në Evropë, e cila shënohet çdo vit më 2 gusht

U deshën dekada derisa Gjermania e njohu Holokaustin ndaj romëve – gjenocidin nazist ndaj rreth 500 mijë romëve evropianë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhe disa dekada të tjera kaluan derisa Dita Evropiane e Përkujtimit të Holokaustit ndaj Romëve u bë një ditë zyrtare përkujtimi në Gjermani dhe në Evropë, e cila shënohet çdo vit më 2 gusht.

Bazuar në nismat e grupeve rome në Poloni, likuidimi nazist i të ashtuquajturit “Kampi Familjar i Ciganëve” në kampin e përqendrimit dhe shfarosjes Auschwitz-Birkenau, në mbrëmjen e 2-3 gushtit 1944, u përkujtua për herë të parë gjysmë shekulli më vonë, në vitin 1994.

Mijëra romë të deportuar ishin vrarë më herët si pasojë e kequshqyerjes dhe sëmundjeve. Atë mbrëmje, mijëra të tjerë u detyruan të hynin në dhomat e gazit, u qëlluan dhe u rrahën për vdekje nga zbatuesit nazistë.

Në vitin 2015, Parlamenti Evropian e shpalli këtë datë si Ditën Evropiane të Përkujtimit të Holokaustit ndaj Romëve. Në Gjermani dhe në vende të tjera evropiane, gjenocidi përkujtohet nga zyrtarë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve qeveritarë. Në disa raste, përfaqësues të qeverive evropiane udhëtojnë në vendin memorial në Auschwitz.

Megjithatë, në shumicën e rasteve, vendet organizojnë ceremonitë e tyre përkujtimore – veçanërisht në Evropën Qendrore dhe Juglindore, ku shfarosja naziste kishte në shënjestër shpesh popullsitë rome.

Edhe Srebrenica s’e harron gjenocidin Rajon Srebrenica s’e harron gjenocidin

Polonia: 15 vjet përkujtim

Polonia, ku jetojnë rreth 30 mijë romë, e shënon 2 gushtin që nga viti 2011. Ceremonia zakonisht përfshin një vizitë të përfaqësuesve parlamentarë dhe qeveritarë në Memorialin e Auschwitzit.

Një tjetër ditë e rëndësishme përkujtimi mbahet çdo vit më 3 korrik në fshatin Szczurowa, në lindje të Krakovit. Ajo nderon kujtimin e romëve polakë të masakruar nga trupat gjermane në vitin 1943. Në vitin 1956, Szczurowa u bë vendi i parë i një memoriali evropian për viktimat e Holokaustit rom.

Qytete dhe fshatra të tjerë në juglindje të Polonisë gjithashtu përkujtojnë vrasjen e romëve polakë gjatë pushtimit nazist gjerman.

Çekia: Nga fermë derrash në vend memorial

Në Republikën Çeke, ku jetojnë afro 250 mijë romë, 2 gushti është ditë zyrtare përkujtimi që nga viti 2015. Ceremonia më e rëndësishme mbahet në Lety, në jug të Pragës, ku organizatat rome e kanë përkujtuar gjenocidin për dekada. Ky është vendi ku nazistët gjermanë ngritën një kamp përqendrimi në vitin 1940 dhe nga viti 1942 filluan të deportonin dhe burgosnin familje rome nga Bohemia e pushtuar.

Pas luftës, vendi u shndërrua në fermë derrash. Ajo u mbyll në vitin 2018, pas një polemike të gjatë, dhe u transformua në një vend përkujtimi.

Presidenti çek Petr Pavel dhe kryeministri i atëhershëm Petr Fiala morën pjesë në ceremoninë e hapjes në prill të vitit 2024.

Një tjetër vend memorial ndodhet në Hodonín, në veri të Brnos, në vendin e një kampi tjetër nazist përqendrimi ku u burgosën romë nga Bohemia dhe Moravia. Këtu përkujtohet edhe deportimi masiv i romëve dhe sintëve drejt Auschwitzit më 21 gusht 1943.

Sllovakia: Dita e përkujtimit që nga viti 2005

Rreth gjysmë milioni romë jetojnë në Sllovaki. Këtu, Dita e Përkujtimit të Holokaustit rom shënohet më 2 gusht që nga viti 2005. Ceremonia kryesore mbahet në Muzeun e Kryengritjes Kombëtare Sllovake në Banska Bystrica.

Muzeu nderon kryengritjen e armatosur të vitit 1944 kundër pushtimit nazist, një nga lëvizjet më të mëdha antifashiste në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ceremonia përkujtimore organizohet nga i dërguari i qeverisë për komunitetet rome dhe iniciativa joqeveritare rome. Në të marrin pjesë edhe përfaqësues të shtetit dhe të presidencës.

Hungaria: Antixhiganizmi dje dhe sot

Rreth 600 mijë romë jetojnë në Hungari. Që nga viti 2005, pas një rezolute parlamentare, 2 gushti shënohet në vende të ndryshme si Ditë Përkujtimi e Holokaustit rom. Vetëm në Budapest ka tre vende përkujtimi për romët e vrarë gjatë Holokaustit ku mbahen ceremoni.

Arsyeja për këto memoriale është fakti se romët hungarezë ishin në shënjestër të deportimeve dhe vrasjeve sidomos pas pushtimit gjerman në vitin 1944 dhe gjatë regjimit fashist të Kryqit të Shigjetuar.

Edhe BE-ja kërkon të mos mohohet gjenocidi në Srebrenicë, por nuk ndëshkon ata që e mohojnë Rajon BE-ja kërkon të mos mohohet gjenocidi në Srebrenicë, por nuk ndëshkon ata që e mohojnë

Kujtesa historike në Hungari lidhet edhe me valën e vrasjeve raciste ndaj romëve mes viteve 2008 dhe 2009. Katër neonazistë hungarezë vranë gjashtë persona dhe plagosën 55 të tjerë. Ata planifikuan krimin e tyre të fundit për natën e 2 gushtit në fshatin Kisleta.

Rumania: Deportimi në Transnistri

Në Rumani, ku jetojnë rreth 2 milionë romë, Dita e Përkujtimit të Holokaustit rom është zyrtare që nga viti 2020. Ngjarja kryesore mbahet në Memorialin e Holokaustit në Bukuresht, i inauguruar në vitin 2009.

Nën diktatorin Ion Antonescu, aleat i Gjermanisë naziste, Rumania organizoi vetë deportimin masiv të hebrenjve dhe romëve në Transnistri, ku rreth 380.000 hebrenj dhe 11.000 romë u vranë ose vdiqën nga uria dhe sëmundjet.

Në vitin 2025, presidenti Nicușor Dan u bë kreu i parë i shtetit rumun që mori pjesë personalisht në ceremoninë përkujtimore.

Në vitin 2004, Rumania shpalli 9 tetorin si Ditën e saj Kombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, që gjithashtu nderon romët e deportuar dhe të vrarë nga regjimi i Antonescut.

Bullgaria: Përkujtim pa ditë zyrtare

Rreth 700 mijë romë jetojnë në Bullgari. Këtu, 2 gushti ende nuk është shpallur ditë zyrtare përkujtimi, por shënohet me aktivitete të organizuara nga organizatat rome. Përfaqësues shtetërorë shpesh japin deklarata përkujtimore.

Megjithëse Bullgaria ishte aleate e Gjermanisë naziste, ajo refuzoi kërkesat për deportimin e hebrenjve dhe romëve. Megjithatë, këto grupe u diskriminuan përmes ligjeve raciste dhe u trajtuan si qytetarë të dorës së dytë.

Kroacia: Fokus te tentativa për arratisje

Në Kroaci jetojnë rreth 25 mijë romë. Parlamenti e shpalli 2 gushtin ditë përkujtimi vetëm në vitin 2014. Ceremonia kryesore mbahet në vendin e ish-kampit të përqendrimit dhe shfarosjes Jasenovac, ku regjimi fashist ustash burgosi serbë, hebrenj, kroatë dhe romë.

Mes 15 mijë dhe 20 mijë romë u vranë atje. Politikanë të lartë marrin rregullisht pjesë në ceremonitë përkujtimore. Në përgjithësi, përkujtimet në Jasenovac theksojnë edhe 22 prillin, kur të burgosurit tentuan të arratiseshin në vitin 1945.

Maqedonia e Veriut: Ditë përkujtimi dhe festë shtetërore

Rreth 100 mijë romë jetojnë në Maqedoninë e Veriut, ku 2 gushti është ditë zyrtare përkujtimi që nga viti 2017. Një ceremoni e rëndësishme mbahet në Shkup, në Qendrën Memoriale të Holokaustit për Hebrenjtë e Maqedonisë.

Megjithatë, 2 gushti është edhe festë shtetërore dhe fetare (Dita e Republikës dhe Shën Ilia), prandaj përkujtimi i gjenocidit ndaj romëve shpesh merr më pak vëmendje publike.

Edhe Holokausti – e kaluara që kujtohet për të mos u përsëritur Kulturë Holokausti – e kaluara që kujtohet për të mos u përsëritur

Serbia: Pa ditë zyrtare përkujtimi

Në Serbi, ku jetojnë rreth 130.000 romë, 2 gushti nuk është ditë zyrtare përkujtimi për gjenocidin ndaj romëve. Megjithatë, ekzistojnë ditë të tjera përkujtimi të politikave gjenocidale të regjimeve naziste dhe ustashe, të cilat gjithashtu nderojnë kujtimin e romëve të vrarë.