Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Amerikanja që shkroi libër mbi pikëllimin pas vdekjes së bashkëshortit, shpallet fajtore për vrasjen e tij

Kouri Richins

Një grua nga Utah, SHBA, e cila pas vdekjes së bashkëshortit kishte shkruar një libër për fëmijë mbi përballimin e pikëllimit, është shpallur fajtore për vrasje të rëndë pasi e helmoi atë me fentanil.

Të hënën, juria gjithashtu ka shpallur Kouri Richins fajtore për përfitim në mënyrë mashtryese nga sigurimi pas vdekjes së bashkëshortit, Eric Richins në mars 2022, në shtëpinë e tyre pranë qytetit turistik të skive, Park City.

Prokurorët kanë thënë se Kouri Richins i kishte hedhur bashkëshortit fentanilin në një koktej që ai e kishte pirë. Ata pretendojnë se Richins kishte borxhe prej 4.5 milionë dollarësh dhe besonte gabimisht se pas vdekjes së bashkëshortit do të trashëgonte pasurinë e tij prej më shumë se 4 milionë dollarësh.

Ata gjithashtu thonë se ajo po planifikonte një të ardhme me një tjetër burrë me të cilin kishte lidhje paralele.

Pas vdekjes së bashkëshortit, Richins ka botuar një libër për fëmijë mbi pikëllimin, për të ndihmuar djemtë e saj dhe fëmijë të tjerë të përballonin humbjen e një prindi.

Ajo është shpallur gjithashtu fajtore për akuza të tjera penale, përfshirë një akuzë për tentativë vrasjeje, në atë që autoritetet e përshkruan si një tjetër përpjekje për ta helmuar bashkëshortin disa javë më herët, në Ditën e Shën Valentinit, me një sanduiç të përzier me fentanil që i shkaktoi reaksion alergjik dhe humbje ndjenjash.

Edhe Nëna që shkroi libër për dhimbjen e fëmijëve pas vdekjes së babait shpallet fajtore për vrasjen e tij Botë Nëna që shkroi libër për dhimbjen e fëmijëve pas vdekjes së babait shpallet fajtore për vrasjen e tij

Avokati mbrojtës i Richins ka thënë se Eric Richins ishte i varur nga qetësuesit dhe i kishte kërkuar bashkëshortes së tij t’i siguronte opioide. Megjithatë, Kouri Richins kishte deklaruar më herët në polici, në një video, se bashkëshorti i saj nuk kishte histori përdorimi të drogave ilegale.

Richins ishte deklaruar e pafajshme për të gjitha akuzat. 

Akuza më e rëndë - vrasje e rëndë, parashikon një dënim nga 25 vjet deri në burgim të përjetshëm.