Showbiz

Prindërit e Perryt ia vënë fajin kryesor doktorit për vdekjen e djalit

Matthew Perry

Matthew Perry

Foto: Associated Press

Prindërit e aktorit të ndjerë, Matthew Perry, fajtorin kryesor për vdekjen e djalit të tyre e konsiderojnë doktorin, i cili, kanë deklaruar ata, do duhej të kujdesej për të.

Aktori i serialit “Friends”, ka vdekur në muajin tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare, si pasojë e efekteve akute pas përdorimit të drogës së quajtur ketaminë.

Doktori, Salvador Placenscia, ishte një nga pesë të akuzuarit që lidheshin me vdekjen e tij.

Para vendimit për dënimin e doktorit, i cili pritet të merret sot (të mërkurën më 3 dhjetor), prindërit e yllit kanë shkruar një letër të cilën ia kanë dorëzuar gjykatës, në të cilën diskutojnë për zinë që po mbajnë për djalin si dhe për mllefin që kanë kundrejt atyre që luajtën rol në vdekjen e tij.

Sipas Rolling Stone, në letrën që ka shkruar nëna dhe njerku i yllit, Suzanne dhe Keith Morrison, thuhet se personi që mban fajin kryesor për vdekjen e Perryt konsiderohet të jetë Placenscia.

“Me çka matet mërzia? A mund të gjeni ndonjë njësi matëse që mund t’i besohet? Me diçka që kolapson përtej pikës më të ulët. Po, kjo është. Ka pasur një jetë shumë të lidhur me tonën, ndonjëherë me ngjitës të fortë e me tela, me çdo gjë që do të mbante larg atë gjë të tmerrshme që vrau djalin tonë të parë e edhe zemrat tona me të. Pastaj këta lakmitarë të këqij dolën nga errësira dhe çdo përpjekje shkon poshtë, gjithçka përmbysët”, thuhet në letër.

Çifti ka deklaruar se mërzia e tyre është “tejet të thellë” dhe kanë treguar se si Suzanne e pati paralajmëruar burrin e saj se asnjë njeri nuk mund të hyjë ndërmjet saj e djalit të saj.

Por në vend të kësaj, në mes ju hyri varësia e Perryt nga droga dhe njerëzit të cilëve ai ju besonte, bashkë me Placenscian, i cili ka pranuar, se para se të vdiste, e ka injektuar aktorin me ketaminë dhe ia ka shitur atë pa qëllime legjitime mjekësore, të cilin çifti e konsideron “më fajtorin nga të gjithë”.

“Historia e tij ka prekur shume njerëz. Dhe ai ka dashur, i duhej, e meriton një akt të tretë. Ishte... i planifikuar. Dhe pastaj, ata idiotë. Askush që është i gjallë në mbarë botën, nuk do të mund të mos e dinte për vështirësie që kishte Matthew. Por ky doktor theu betimet e tij më të rëndësishme, vazhdimisht, dilte fshehurazi natën që të takohej në mënyrë sekrete me viktimën e tij. Për çka, disa mijëra dollarë? Që ta ushqente dobësinë që kishte djali ynë... dhe kështu bëri korbi me pyetjen e tij që i doli në shesh: ‘Sa do të paguajë ky budalla? Ta shohim’. Disa gjëra janë tepër të vështira për t’u kuptuar”, thuhet tutje në letër.

Ndërkohë babai i Perryt dhe gruaja e tij, përkatësisht njerka, John dhe Debby Perry, kanë shkruar se doktori 43-vjeçar nuk e meriton t’i dëgjonte ndjenjat e tyre e kritikat që kanë për veprimet që ka bërë.

“Përmirësimi i gjendjes shëndetësore të Metthewt varës nga jo-ja jote. Motivet e tua? Nuk mund t’i imagjinoj. Një doktor jeta e së cilit i kushtohet ndihmës ndaj njerëzve? Çka ishe duke menduar? Sa gjatë e shihje veten duke e furnizuar Mathewn me doza para se të kolapsonte i vdekur? A të interesonte? A mendoje? Sa njerëz të tjerë i ke dëmtuar, për të cilët nuk e dimë? Kërkojmë nga gjykata që të të japë shumë kohë të mendosh për veprimet që ke bërë duke ta zgjatur dënimin përtej kohës së caktuar”, thuhet në letër.

Placenscia është deklaruar fajtor për distribuim të ketaminës në muajin korrik dhe mund të përballet  me 40 vjet burgim.

Jasveen Sangha, e njohur se “mbretëresha e ketaminës” në veriun e Hollywoodit, pritet të dënohet me 10 dhjetor, ndërkohë që ish-asistenti i Perryt, Kenneth Iwamasa do të dëgjojë për fatin e tij  më 14 janar të vitit 2026.

Për më tepër, doktori tjetër, Mark Chavez, do të dënohet me 17 dhjetor dhe Erik Fleming, i cili ishte ndërmjetësues i Sanghas për shitjen e ketaminës te Perry, do të dënohet me 7 janar 2026.