LAJMET E MBRËMJES

Vrasja e Enver Bajraktarit nuk u krye vetëm nga Top Kolshi

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar 30 ditë paraburgim Top Kolshit, i dyshuar për vrasjen e Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit. Dyshimet e organit të akuzës janë se Kolshi e bëri vrasjen bashkë me persona të tjerë ende të paidentifikuar

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar të mërkurën 30 ditë paraburgim Top Kolshit, i dyshuar për vrasjen e Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit.

Pasi u arrestua të martën, Kolshi në prokurori e pranoi fajin për vrasjen e Bajraktarit, trupi i të cilit u gjet i fshehur e groposur brenda një are me misër.

Dyshimi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është se ai nuk e kreu vrasjen i vetëm.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T. K. mes datës 3.8.2025, ora 16:00 dhe datës 4.8.2025 rreth orës 12:10, në fshatin Baicë, Komuna e Lipjanit, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake mes vete, me dashje e në bashkëkryerje edhe me persona ende të paidentifikuar deri më tani, në mënyrë dinake dhe mizore privojnë nga jeta tani të ndjerin E.B., në atë mënyrë që i ndjeri E.B. më datën 3.8.2025 rreth orës 16:00 kishte dalë nga shtëpia duke e dërguar gjedhen e tij për kullosë në livadhet e fshatit dhe aty ai fillimisht goditet me mjete të forta në kokë dhe trup, më pas ngufatet”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Dyshimet janë se Kolshi bashkë me persona tash për tash të paidentifikuar, duke tentuar ta fshehin trupin e Bajraktarit, pasi e varrosën, e vendosën përsëri misrin përsipër.

“Trupi i të ndjerit tërhiqet zvarrë për disa metra duke kaluar përmes një are të mbjellë me misër dhe aty fillimisht hiqen disa rrënjë misri, gërmohet një gropë me thellësi mbi 1m, më pas brenda saj vendoset trupi i pajetë i të ndjerit, e sipër të cilit vendosen dërrasa dhe më pas gropa mbulohet me dhe, kurse aty rivendosen rrënjët e misrit. Më pas, më datë 4.8.2025, rreth orës 12:10 familjarët e viktimës duke bërë kërkime nëpër zona të fshatit arrijnë ta gjejnë viktimën e varrosur pa shenja jete, me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’”, thuhet në njoftim.

Top Kolshi, sipas Gjykatës së Prishtinës, ka precedent penal, me dy aktgjykime të ndryshme.

Gjykata vlerësoi se ekziston rreziku që ai të ndikojë në prova, dëshmitarë të mundshëm dhe të dyshuar të tjerë të mundshëm, andaj paraburgimi është e vetmja masë e përshtatshme e sigurisë për Kolshin.