I është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji të arrestuarit për vrasjen e Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit.
Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka njoftuar se Prokuroria ka kërkuar caktimin e kësaj mase dhe ajo është vendosur nga Gjykata në seancën e mbajtur.
Një person është arrestuar të martën nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e rëndë që ka ndodhur në Baicë të Lipjanit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë një ditë më parë njoftoi se i dyshuari T.K. e ka pranuar fajin për vrasjen dhe pastaj fshehjen e kufomës së Enver Bajraktarit.
Një ditë pasi e kishin raportuar të zhdukur, familjarët e kishin gjetur trupin e Bajraktarit në një gropë mbi të cilën kishte edhe dërrasa, brenda një are të mbjellë me misër në fshatin Baicë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se zbulimi i të dyshuarit është bërë pas një pune intensive me policinë.
“Gjatë këtij veprimi policor, në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit, është arrestuar dhe ndaluar një person i dyshuar mashkull me inicialet T. K. Pas ndalimit në polici dhe dhënies së deklaratës, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale. Ai është ndaluar me vendim të prokurorit të shtetit dhe ndaj tij janë duke u zhvilluar procedurat e mëtutjeshme ligjore. Prokuroria dhe Policia mbeten të përkushtuara për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e organit të akuzës.
Gjykata jep detaje: Vrasja në Baicë s’u krye vetëm nga një person
T.K. dyshohet se nuk e ka kryer i vetëm vrasjen e Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit.
Në një njoftim për media, Gjykata ka dhënë detaje për rastin në të cilin T.K. ka pranuar fajin. Aty thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën në bashkëkryerje me persona ende të paidentifikuar deri më tani.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.K. mes datës 03.08.2025 ora 16:00 dhe datës 04.08.2025 rreth orës 12:10, në fshatin Baicë, Komuna e Lipjanit, për shkak te mosmarrëveshjeve paraprake mes vete, me dashje e në bashkëkryerje edhe me persona ende të paidentifikuar deri më tani, në mënyrë dinake dhe mizore privojnë nga jeta tani të ndjerin E.B., në atë mënyrë që i ndjeri E. me datën 03.8.2025 rreth orës 16:00 kishte dal nga shtëpia duke e dërguar gjedhen e tij për kullos në livadhet e fshatit dhe aty i njëjti fillimisht goditet me mjete të forta në kokë dhe trup, më pas ngulfatet dhe trupi i tij tërhiqet zvarrë për disa metra duke kaluar përmes një arre të mbjellë me misër dhe aty fillimisht hiqen disa rrënje misri, gërmohet një gropë me thellësi mbi 1m, më pas brenda saj vendoset trupi i pajetë i të ndjerit, e sipër të cilit vendosen dërrasa dhe më pas gropa mbulohet me dhe, kurse aty rivendosen rrënjët e misrit. Më pas me datën 04.8.2025 rreth orës 12:10 familjarët e viktimës duke bërë kërkime nëpër zona të fshatit arrijnë ta gjejnë viktimën e varrosur pa shenja jete, me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Vrasje e Rëndë”, thuhet në njoftim.
Sot Gjykata vendosi për masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit.