Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka arrestuar një të dyshuar për vrasjen dhe fshehjen e trupit të Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit. Po të martën është shpallur në kërkim edhe Xhemail Nuhiu, i dyshuar për vrasjen e fqinjit të tij Muhamet Makolli, në fshatin Hajvali. Ndërkaq zhvillime rreth hetimeve për vrasje ka pasur edhe në Prizren, ku prokuroria ka njoftuar se i është caktuar paraburgimi të dyshuarit për vrasjen me thikë të Hekuran Shalës në lagjen “Tusuz”
Një person është arrestuar të martën nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e rëndë që ka ndodhur në Baicë të Lipjanit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se i dyshuar e ka pranuar fajin për vrasjen dhe pastaj fshehjen e kufomës së Enver Bajraktarit.
Një ditë pasi e kishin raportuar të zhdukur, familjarët e kishin gjetur trupin e Bajraktarit në një gropë mbi të cilën kishte edhe dërrasa, brenda një are të mbjellë me misër në fshatin Baicë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se zbulimi i të dyshuarit është bërë pas një pune intensive me policinë.
“Gjatë këtij veprimi policor, në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit, është arrestuar dhe ndaluar një person i dyshuar mashkull me inicialet T. K. Pas ndalimit në polici dhe dhënies së deklaratës, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale. Ai është ndaluar me vendim të prokurorit të shtetit dhe ndaj tij janë duke u zhvilluar procedurat e mëtutjeshme ligjore. Prokuroria dhe Policia mbeten të përkushtuara për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e organit të akuzës.
Zhvillime të shumta lidhur me hetimet për vrasje ka pasur të martën, derisa është regjistruar një vrasje tjetër, e cila ka ndodhur të hënën mbrëma në Hajvali të Prishtinës.
Policia e Kosovës po e kërkon Xhemail Nuhiun, i cili dyshohet për vrasjen e fqinjit të tij Muhamet Matoshi, e cila dyshohet se ndodhi pas një konflikti të atypëratyshëm.
Ndërkaq Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se i është caktuar masa e paraburgimit të dyshuarit për vrasje me thikë, që ndodhi të dielën në lagjen “Tusuz”.
Para vrasjes i dyshuari dhe viktima, sipas prokurorisë, i përlanë qentë.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, më datë 10.8.2025, rreth orës 20:30, në lagjen ‘Tusuz’, në rrugën ‘Lapidari’ në Prizren, i pandehuri E. B., pas një mosmarrëveshjeje paraprake, në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje e privon nga jeta tanimë të ndjerin H.SH., në atë mënyrë që fillimisht i nxisin qentë e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosjeje të shkurtër i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën-patente dhe e godet H.SH., me ç’rast i njëjti dërgohet në QKUK në Prishtinë, ku ndërron jetë nga plagët e marra. Me këto veprime E.B. ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Brenda më pak se dy javësh të muajit gusht në Kosovë janë vrarë 6 persona. Tre në Gjilan, një në Lipjan, një në Prizren dhe një në Prishtinë.