Rreth një vit e gjysmë pas rastit, prokurorja Sahide Gashi ka bërë të ditur se vrasja ka qenë e planifikuar. Ajo nuk ka pranuar që t’i zbardhë dyshimet për motivin, ndërkaq nuk ka ofruar hollësi as për rolin tre të dyshuarve si dhe për rezultatet e ekzaminimit të provave nga vendi i ngjarjes, të cilat janë dërguar jashtë Kosovës
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur të premten aktakuzë ndaj tre personave lidhur me vrasjen e trefishtë që pati ndodhur në Gllogjan nëntorin e vitit 2021.
Në sulmin me armë mbi një autobus gjatë mbrëmjes së 26 nëntorit të 2021-s të vdekur patën mbetur dy 17-vjeçarë si dhe shoferi, i cili ishte caku i të dyshuarve.
Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë për bashkëkryerje në vrasje të rëndë ndaj Kastriot Mehmetajt dhe Kreshnik Mehmetajt, si dhe ndaj Halil Mehmetajt për veprën penale për shtytje në vrasje.
“Pjesa më e madhe e terrenit ishte e mbuluar me drunj, shkurre, ku nuk ka mbulim me kamera. Kryesi e ka ditur mirë paraprakisht itinerarin e autobusit, kohën e saktë të arritjes në vendin e ngjarjes. Dhe veprimet e ndërmarra të kryesit, si shtirja e të njëjtit si i dehur ose me probleme për ta detyruar shoferin që ta ulë shpejtësinë, eventualisht edhe ta ndalojë dhe ta kapë në befasi", ka deklaruar prokurorja Gashi.
Ajo ka thënë se në mungesë të verifikimit të dyshimeve, hetimet ndaj të dyshuarit tjetër, Malsor Mehmetaj, janë pushuar.
E rasti, sipas saj, ka qenë i planifikuar që më parë.
“Zhdukja e kryerësit pa lënë as një gjurmë është indikacion se i njëjti ose e ka njohur mirë terrenin ose ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë që e kanë ndihmuar, duke e larguar menjëherë nga aty pas sulmit", ka deklaruar Gashi.
Përderisa ka përmendur të gjitha veprimet e ndërmarra për hetimin e rastit, prokurorja Gashi ka numëruar si rrethanë vështirësuese për procesin kushtet atmosferike në natën e sulmit. Ajo ka bërë të ditur se janë realizuar mbi 40 incizime të kamerave të siguruara nga objektet publike e private, përderisa ka përmendur edhe dërgimin jashtë shtetit të provave për ekzaminim.
“Janë dërguar provat për ekzaminime në laboratorë të Forenzikës brenda dhe jashtë shtetit. Në Agjencinë Kosovare të Forenzikës në Prishtinë, në Institutin për Forenzikë në Cyrih, në laboratorin të policisë në Cyrih, ne laboratorin shkencor në Tiranë të Shqipërisë”, ka thënë Gashi, gjatë një konference për media.
Gashi ndërkaq nuk ka pranuar që të ofrojë hollësi lidhur me motivin e sulmit, rolin e secilit prej të dyshuarve si dhe për rezultatet nga provat e dërguara jashtë vendit për ekzaminim.
Si arsyetim, ajo ka cekur mundësinë e dëmtimit të procesit si dhe mosndikimin në vendimin e Gjykatës.
Më 26 nëntor të 2021-s, autobusi që po qarkullonte në linjën nga Gjakova në drejtim të Gllogjanit është zënë në pritë. Si pasojë e sulmit me armë zjarri, të vdekur kanë mbetur shoferi, Gani Gjokaj dhe dy nxënësit e shkollës së mesme Genta Mustafaj e Ledion Hamzaj. Një tjetër nxënës ka mbetur i plagosur rëndë.
Dy javë pas këtij sulmi, Policia pati arrestuar tre persona, ndërkaq në fillim të shkurtit të 2022-s, është arrestuar edhe një person i katërt, i cili dyshohej se ishte i përfshirë në vrasjen e trefishtë.
Gjatë kohës sa të dyshuarit ishin në arrati, Qeveria e Kosovës ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për këdo që posedon informata që mund të çonin drejt zbardhjes së rrethanave të sulmit.