Kryeprokurori i Shtetit i ka kërkuar kryeprokurores së Prokurorisë në Pejë raport lidhur me kronologjinë e veprimeve të marra nga kjo Prokurori për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan. Kjo pasi Gjykata në Pejë ka marrë aktgjykimin lirues ndaj të akuzuarve.
“Në bazë të kompetencave të tij ligjore, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë raport me shkrim lidhur me kronologjinë e veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë për rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan, pasi që Gjykata Themelore në Pejë, më datë 24 gusht 2026, ka marrë aktgjykim lirues ndaj personave të akuzuar për këtë rast”, ka njoftuar të premten zyra e Kryeprokurorit.
Gjykata Themelore në Pejë pati shpallur aktgjykim lirues ndaj tre të akuzuarve, Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, lidhur me akuzën për vrasjen e trefishtë të 26 nëntorit 2021, ku kishin mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.
Të tre të dyshuarit, akuzoheshin se, më 26 nëntor 2021, nën motivin e hakmarrjes, kanë shtënë me kallashnikov në drejtim të një autobusi në Gllogjan, ku mbetën të vrarë dy nxënës 17-vjeçarë dhe shoferi i autobusit.
Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj u liruan nga akuza për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, kurse Halil Mehmetaj u lirua nga akuza për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.
Por, Halil dhe Kreshnik Mehmetaj u shpallën fajtorë për armëmbajtje pa leje.
Edhe
Gjykata liron nga akuza për vrasjen e trefishtë në Gllogjan tre të akuzuarit, dy nga ta i dënon për armëmbajtje pa leje
Halil Mehmetaj u dënua me 3 vjet burgim, kurse Kreshnik Mehmetaj me 1 vit burgim.