Kronikë

Tre të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, e cila ndodhi në nëntor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave.

Këtë e ka bërë të ditur prokurorja e rastit, Sahide Gashi, në një konferencë për media të mbajtur të premten.

Gashi ka thënë se për të dyshuarin e katërt nuk ka pasur dyshim të bazuar mirë se ka qenë në ndonjë formë i përfshirë në rast.

“Pas hetimeve Prokuroria sot më 5 maj ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Pejë kundër Kastriot Mehmetaj e Kreshnik Mehmetaj për vepër penale ‘vrasje’ si bashkëkryes të veprës. Kemi ngritur aktakuzë edhe kundër Halil Mehmetaj për vepër penale shtytje në vepër të rëndë. Pas përfundimit të hetimeve dhe shqyrtimit të të gjitha provave, Prokuroria për të pandehurin Malsor Mehmetaj nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në krim, andaj Prokuroria ka marrë vendim që kundër tij t’i pushojë hetimet”, ka theksuar Gashi.

Prokurorja Gashi ka treguar në hollësi veprimet që janë ndërmarrë në hetimin e rastit, megjithëse nuk ka treguar për motivin që ka çuar në vrasje.

“Për shkak të kushteve të rënda atmosferikë atë ditë dhe ditëve në vijim, ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësiti i forenzikës kanë kryer prehjen e zonës së krimit. Natën kritike është sjellë ekipi i qenve, por për shkak të kushteve atmosferike nuk ka qenë i mundur gjurmimi i kryesve. Pas grumbullimit të të gjitha informatave, provave, kemi mundur të konstatojmë me besueshmëri se nuk ka indikacione për sulm terrorist, kemi të bëjmë me ekzekutues me shumë gjasë i maskuar. Targeti i sulmit ishte shoferi i autobusit, se kemi të bëjmë me një sulm mirë të planifikuar, mbi bazën e treguese si përzgjedhja e vendit ku përveç një vendbanimi të vogël që gjendej në largësi të autobusit, nuk ka asnjë shtëpi; kohën, stinën e dimrit, kushtet atmosferike; kryesi paraprakisht e ka ditur mirë itinerarin e autobusit; veprimet e kryesit, shtirja si person i dehur apo me probleme, që ta detyrojë shoferin që ta ulë shpejtësinë”, ka thënë ajo.

Zhdukja e kryesit pa lënë asnjë gjurmë është tregues se ai e ka njohur mirë terrenin, ose ka pasur bashkëpunëtorë që e kanë njohur vendin, shtoi më tutje Gashi, ndërkaq tregoi edhe se “janë siguruar informata nga burime jashtë vendit, kompania Facebook dhe kompania Viber në Luksemburg”.

Më 26 nëntor 2021, një autobus i cili po udhëtonte nga Gjakova në Gllogjan u zu në pritë, ku në sulm me armë u vranë shoferi i autobusit, dy nxënës të shkollës së mesme dhe një nxënës i plagosur. Katër persona ishin arrestuar si të dyshuar.