Me anë të një aksioni simbolik para Rektoratit, përfaqësues të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës kanë shprehur pakënaqësi për kushtet jo të mira infrastrukturore në objektet akademike. Studentët u ankuan se hapësirat e bibliotekave nëpër fakultete nuk i përmbushin kushtet për lexim e mësim, teksa thanë se ua rrezikojnë edhe shëndetin, si pasojë e mungesës së ngrohjes
Në kohën kur temperaturat atmosferike shënojnë nën minus, studentë të Fakultetit të Mjekësisë janë ankuar se objekti i bibliotekës së tyre ka probleme me ngrohje.
Ata kanë thënë se për shkak të vjetërsisë së objektit dhe mosfunksionimit të disa prej pajisjeve për ngrohje, godina nuk i plotëson kushtet për lexim.
Studenti Labeat Leniqi ka thënë se nuk mund të qëndrojë gjatë në bibliotekë, për shkak të të ftohtit. Sipas tij, temperatura e ulët ka ndikuar edhe në shëndet.
“Ne si studentë meritojmë më mirë, duke marrë parasysh që ne këtu ballafaqohemi sidomos në stinën e dimrit me mungesa të klimave, me mungesa të ngrohjes dhe normalisht që detyrohemi ta shkurtojmë periudhën e mësimit. Shpeshherë edhe ballafaqohemi me një gjendje jo të mirë që vjen si rezultat i qëndrimit të gjatë në ambiente të ftohta”, ka thënë studenti Leniqi, i cili përfaqëson studentët edhe në Senatin e UP-së.
Studentët kanë theksuar se ndër vite kanë kërkuar rinovimin e objektit, por kërkesat kanë hasur në vesh të shurdhër.
Ata kanë shprehur ankesa edhe për gjendjen e tualeteve. Sipas tyre, renovimet janë bërë para një muaji, por nuk është arritur të hiqet myku, e ende ka rrjedhje të ujit.
Besfort Racaj, nënkryetar në Këshillin Studentor të Fakultetit, ka thënë se kanë filluar të kërkojnë ndihmë nga donatorët për të rinovuar hapësirat që i shfrytëzojnë për lexim.
“Fatkeqësisht po, pasi Universiteti i Prishtinës nuk ka ndarë buxhet për rregullimin e objektit të bibliotekës dhe na është dashur ne si Këshill i Studentëve të nisim një iniciativë të tillë për të shpresuar në realizimin e saj”, ka bërë të ditur Racaj.
Sipas përfaqësuesve të Parlamentit Studentor, gjendja e njëjtë e hapësirave bibliotekare është në të gjitha fakultete. Në shenjë pakënaqësie, ata të martën zhvilluan një aksion simbolik para rektoratit.
“Siç e dini, kemi hyrë në vitin 2024 dhe për kushtet elementare për studentë – të cilat janë ofrimi i kushteve të mira për të studiuar dhe hapësirat bibliotekare – nuk është marrë as edhe një hap i vetëm për renovimin e atyre hapësirave”, ka thënë Hoti, kryetar i Parlamentit Studentor. “Duhet të ndahet buxhet për rinovimin e bibliotekave të njësive të tjera akademike, pasi që besojmë se UP-ja ka buxhet të mjaftueshëm për rinovimin e hapësirave për studentët, jo vetëm për biblioteka, por edhe të hapësirave të tjera”.
Në Rektorat kanë thënë përmes një përgjigjeje me shkrim se është ndarë buxhet për renovimin e hapësirave bibliotekare, por se ai nuk është i mjaftueshëm.
“Përcaktimi i ndarjeve buxhetore sipas Ligjit mbi Ndarjet për Buxhetin e Republikës së Kosovës, në raport me nevojat e vazhdueshme të UP-së për investime kapitale dhe zhvillim, nuk është i mjaftueshëm”, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i UP-së, Besfort Krasniqi. “UP-ja është duke negociuar dhe duke vënë kontakte edhe me institucione dhe partnerë tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, të gatshëm për mbështetjen financiare të projektit në fjalë, por edhe të projekteve të tjera që kanë për synim digjitalizimin dhe modernizimin e infrastrukturës”.
Universiteti i Prishtinës është bartësi më i madh publik i arsimit të lartë në Kosovë. Studentë e edhe profesorë, shpesh janë ankuar për hapësirat në të cilat realizohen studimet.