LAJMET E MBRËMJES

Spasiq i subjektit Uniteti Kombëtar Serb tërhiqet nga gara dhe i bashkohet Listës Serbe

Në Kllokot, më 9 nëntor do të organizohet rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar, por nuk do të ketë garë. Kandidatit i subjektit politik serb SNS, Sreqko Spasiq, është tërhequr nga gara dhe i është bashkuar Listës Serbe, që po ashtu ka kandidatin e saj në balotazh. KQZ-ja ka sqaruar se në rrethin e dytë formalisht do të garojnë dy kandidatët që kanë fituar më së shumti vota në raundin e parë. Njëri nga ta është Spasiqi

Sreqko Spasiq, kandidat për kryetar të Komunës së Kllokotit nga nisma qytetare Uniteti Kombëtar Serb, është tërhequr nga rundi i dytë i zgjedhjeve lokale dhe i është bashkuar Listës Serbe, parti që po ashtu ka kandidatin në balotazh. 

Njoftimi për këtë marrëveshje mes dy subjekteve politike është bërë nga Lista Serbe, ku është shpërndarë edhe një deklaratë e Spasiqit.

“Unë, Sreqko Spasiq, dëshiroj ta njoftoj opinionin dhe të gjithë qytetarët e Komunës së Kllokotit se po tërhiqem nga gara zgjedhore dhe nuk do të marr pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit, që do të mbahet më 9 nëntor, ndërsa të gjithë forcën dhe energjinë time, së bashku me anëtarët e deritashëm të ‘Srpska Narodna Sloga’, e tani anëtarë të Listës Serbe, do të vihemi në shërbim të fitores së Listës Serbe në këto zgjedhje lokale, si dhe në të gjitha zgjedhjet e ardhshme në këto hapësira”, thuhet në deklaratën e Spasiqit.  

Me gjithë tërheqjen e Spasiqit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të organizojë rundin e dytë të zgjedhjeve në këtë komunë më 9 nëntor, ku kandidat është edhe Bozhidar Dejanoviq i Listës Serbe.  

“Tërheqja e një kandidati nga procesi zgjedhor në këtë fazë nuk ndikon në mbajtjen e garës zgjedhore. Sipas procedurave dhe afateve të vendosura nga KQZ, afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara zgjedhore ishte data 2 shtator 2025. Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit vazhdon me emrat e dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota në raundin e parë”, ka theksuar Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së. 

Më 12 tetor, Dejanoviq i Listës Serbe fitoi 41.38 për qind të votave, kurse Spasiq 31.23 për qind.

Edhe për rundin e parë pati kërkesa të kandidatëve për kryetarë e asamblistë për t’u larguar nga listat. Shumë nga to u refuzuan nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e edhe nga Gjykata Supreme si të pasafatshme. 

PZAP-ja është bazuar në nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet që përcakton se kërkesat për tërheqje duhet të bëhen minimum dy ditë para hedhjes së shortit për numrat e kandidatëve në fletëvotime.