Arbëri

Serbia emëron në struktura paralele kandidatin që hoqi dorë nga gara në Kllokot

Sreqko Spasiq

Serbia e ka emëruar Sreqko Spasiqin kryetar të komunës paralele serbe të Vitisë, pak ditë pasi hoqi dorë nga gara për kryetar të Kllokotit.

Sipas vendimit të publikuar në Gazetën Zyrtare të Serbisë, Spasiq u emërua në krye të Organit të Përkohshëm Komunal të Vitisë më 6 nëntor, tre ditë para raundit të balotazhit para të cilit ai u tërhoq për t’iu bashkuar Listës Serbe me të cilën përballej në zgjedhje.

Kjo strukturë paralele ishte mbyllur në fillim të vitit nga Kosova. Megjithatë, Serbia i ka zhvendosur brenda territorit të saj strukturat paralele të mbyllura nga Kosova.

Më 3 nëntor, Spasiqi u tërhoq nga gara dhe iu bashkua Listës Serbe. Në raundin e parë Lista Serbe pati fituar 41.38 për qind të votave, ndërsa Spasiqi 31.23. Edhe pse iu bashkua Listës Serbe, KQZ-ja i organizoi zgjedhjet në këtë komunë me Spasiqin si pjesë të garës. Në balotazh Lista Serbe mori mbi 90 për qind të votave.