Sylejman Selimi ka theksuar se në nëntorin e 1998-s, kur ka qenë komandant i Zonës Operative të Drenicës, Sahit Jashari ka qenë shefi i Policisë ushtarake dhe i ka raportuar atij. E lidhur me shefin e sektorit të zbulimit në zonën e Drenicës, ai ka deklaruar se ka qenë më i angazhuar në luftime sesa në raportimet mbi pozicionet e forcave serbe
Në ditën e dytë të dëshmisë para Dhomave të Specializuara në Hagë, ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, ka thënë të martën se në nëntorin e vitit 1998, në kohën sa ka qenë komandant i Zonës operative të Drenicës, Policia ushtarake ka qenë nën përgjegjësinë e tij.
Tek ka dëshmuar në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Kadri Veseli – Selimi ka deklaruar se asokohe shef i Policisë Ushtarake ka qenë Sahit Jashari dhe se ai i ka raportuar atij.
“Komandant ka qenë Sahit Jashari dhe më ka raportuar mua, si komandant zone dhe ka qenë nën urdhrat e mi”, ka thënë Selimi.
Kjo rrethanë, sipas tij, ka ndryshuar kur Fatmir Limaj ka dërguar kërkesë që të gjithë eprorët e Policisë Ushtarake t’i raportojnë atij direkt.
“Në këtë periudhë, nuk e di muajin e saktë, ka qenë nën komandën time Zona Operative e Drenicës dhe me komandant të policisë ushtarake Sahit Jashari dhe ka qenë nën komandën time... Nuk e di kohën saktë kur u nisë, nuk e kam përpara urdhëresën e cila është lëshuar nga z. Limaj dhe është thënë decidivisht që duhet t’i raportojnë vijës hierarkike të gjitha policitë e zonave, në nivel të të gjitha zonave t’i raportojnë z. Limaj”, ka thënë Selimi.
Selimi ka thënë se kontakti me ushtarë të zonës së Drenicës ka qenë i vështirë, pasi aty ka pasur vazhdimisht luftime. E tek ka folur rreth shefit të zbulimit në këtë zonë, Rasim Kiqina, që është vrarë në luftë, Selimi ka thënë se ai ka qenë më shumë i angazhuar në luftime sesa në raportimet mbi pozicionet e forcave serbe.
“Shumë pak e ka kryer këtë detyrë. Më shumë ka qëndruar me ushtarë dhe ka marrë pjesë në luftime, kryesisht në brigadën 111”, është shprehur Selimi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se policia ushtarake është udhëhequr nga Rexhep Selimi, ndërsa shërbimi i zbulimit nga Kadri Veseli.
Dëshmia e Selimit do të vazhdojë edhe të mërkurën, me pyetjet e avokatit të Kadri Veselit, lidhur me vitin 1999.