Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, ka dëshmuar në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Selimi tha si komandant i Zonës Operative të Drenicës i ka respektuar urdhrat dhe organogramin e ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E, foli për mënyrën se i u zgjodh komandant i përgjithshëm.
Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, ka dëshmuar në rastin më të madh të Speciales, ku katër ish-udhëheqës të Shtabit të Përgjithshëm akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Selimi deklaroi se ka respektuar urdhrat dhe organogramin e ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm.
Në pyetjet e prokurorit Matthew Halling se kush ishte prezent kur e propozoi që në vend të tijin të bëhej Agim Çeku komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare, ai u përgjigj duke i përmendur dy nga të akuzuarit.
“Kur ju propozuat që Agim Çeku të emërohej në vendin tuaj, kujt ia propozuat, kush ishte prezent aty?” – pyeti prokurori Halling.
“Ka qenë Agimi, ka qenë Hashimi edhe ka qenë Kadriu dhe disa oficerë të tjerë të Shqipërisë”, tha Selimi.
E, lidhur me emërimin e tij në krye të UÇK-së, prokurori u thirr në një intervistë të të akuzuarit Rexhep Selimi, dhënë për “Zërin”, ku kishte deklaruar se Sylejman Selimi u zgjodh unanimisht si komandant i përgjithshëm.
“Pyetja ime është kjo: A e ka përshkruar Rexhep Selimi në mënyrë të saktë mënyrën se si u bëtë ju komandant i përgjithshëm UÇK-së?” – pyeti Halling.
“Po, besoj që po”, tha Selimi.
I pyetur lidhur me organizimin e nivelit të lartë në pranverën e vitit 1998, tha se ai vendoste se ku do të shkonin pjesëtarët e UÇK-së që vinin në Drenicë atëkohë.
Selimi theksoi se pjesëtarët e UÇK-së ishin vullnetarë dhe shkonin aty ku zhvilloheshin luftime.
“ Kush ishte përgjegjës për të sistemuar oficerët e nivelit të lartë në atë grup që po vinin në grupin tuaj?” – pyeti Halling.
“Ata kanë qenë kryesisht vullnetarë dhe kanë shkuar në ato pjesë ku ka pasur luftime dhe ku ka pasur pjesëtarë të UÇK-së, dhe në këtë rast kanë ardhur tek unë... Në këtë periudhë kam qenë unë përgjegjës për pritjen dhe organizimin e këtij formacioni përballë forcave serbe”, tha Selimi.
Selimi është dëshmitari i 121-të i ZPS-së.
Të hënën ka dëshmuar edhe dëshmitari i 120-të me radhë i cili, siç tha prokurori Cezary Mihailzcuk, u rrëmbye bashkë me një të afërm nga pjesëtarë me uniforma të UÇK-së, e morën në pyetje dhe e keqtrajtuan.
Dëshmia e tij ishte kryesisht e mbyllur. Dëshmitari tha se po ndihet i stresuar në gjykatë dhe në pjesën e hapur të seancës kërkoi të mos dëshmojë dhe të mos thirret më të dëshmojë. Ai tha po ashtu se nuk iu prezantua ndonjë akuzë gjatë kohës së ndalimit të tij.