Gjatë dëshmisë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, James Rubin e ka përshkruar me shumë ndikim rolin që Adem Demaçi e ka pasur te delegacioni i UÇK-së. Në një moment, ai e ka cilësuar atë edhe si epror të Hashim Thaçit
Në ditën e dytë të dëshmisë, në gjykimin më të madh të Speciales, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka insistuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk ka pasur strukturë komanduese.
Ish-këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH) ka theksuar se edhe Hashim Thaçi është ndikuar nga qëndrimet e Adem Demaçit.
Teksa të martën u është përgjigj pyetjeve të gjyqtarit Christoph Barthe, Rubini ka thënë se pasi në Rambuillet delegacioni i Kosovës nuk e ka pranuar marrëveshjen, sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, ka realizuar një telefonatë me Demaçin.
“Thaçi kishte nevojë që Demaçi të thoshte që ta shtyjmë pak më vonë çështjen e pavarësisë. Prandaj zoti Demaçi ishte eprori i tij nga vendimmarrja në këtë grup. Ai kishte nevojë për mbështetje ideologjike nga themeluesi apo personi kryesor ideologjik”, ka theksuar Rubini.
Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve ka insistuar se Demaçi, i cili e ka drejtuar Zyrën e UÇK-së në Prishtinë, ka qenë figura kryesore e gueriles.
Rubini ka theksuar se edhe në Rambuillet, Thaçi vazhdimisht është konsultuar me Demaçin, i cili ka qenë kundër nënshkrimit të marrëveshjes. Ai ka thënë se roli i Demaçit është relativizua pasi që ai është dorëhequr, në shenjë pakënaqësie me pranimin e marrëveshjes nga ana e Thaçit.
“Ne të gjithë u kthyem përsëri në Rambuje dhe të gjithë informacionin e diskutuam. Mendoj që dikush më ka thënë, dikush të cilit ia kam dëgjuar fjalën ose dikush me kompetencë, ose më ka thënë Thaçi ose dikush nga ambasada, pra më është thënë apo të paktën unë kam besuar se Adem Demaçi nuk ishte më lojtar aktiv pas nënshkrimit të marrëveshjes së Rambuillet. Me fjalë të tjera është anashkaluar, ka theksuar Rubini.
Në ditën e dytë të dëshmisë, Rubini ka thënë po ashtu se nuk ka parë asnjëherë Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së, porse në malet e Berishës e ka parë një tendë me disa karrige dhe Thaçin për tri ditë me radhë tek u bindej komandantëve që kanë qenë të pranishëm.
“Unë nuk kam parë asgjë në Kosovë që i përngjante Shtabit të Përgjithshëm. Nuk ka pasur ndonjë shtab për gjeneralët në kontekstin e Kosovës. Unë s’kam parë ndonjëherë gjeneral. Unë s’kam parë ndonjëherë Shtab të Përgjithshëm të gjeneralëve”, është shprehur ai.
Ish-diplomati amerikan, i cili është dëshmitar i mbrojtjes, u është përgjigjur edhe pyetjeve të prokurorëve përkitazi me ngjarje që janë të përfshira në aktakuzë, por disa herë ka thënë se ato nuk i kujtohen.
Prokurori James Pace e ka pyetur për qëndrimin e tij lidhur me Gjykatën Speciale. Rubini ka thënë se procesi ndaj Thaçit dhe të tjerëve është padrejtësi.
“Fakti që të akuzuarit kanë qenë janë në burg për më shumë se pesë vjet dhe janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur të ndaluar për kaq shumë gjatë më shqetëson. Mendoj që lidhet me politikën dhe shtetin e së drejtës dhe mua më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur për pesë vite përpara se të ndiqet penalisht një çështje penale ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë shumë bashkëpunues me gjykatën. Kështu që në rastin e të akuzuarit në fjalë nuk e kuptoj fare se pse është dashur të qëndrojë në burg për pesë vite”, ka thënë ai.
Ish-këshilltari i lartë në DASH ka thënë se nuk e sheh si të drejtë gjykimin, tek ka shtuar se ky nuk ka qenë vizioni që e ka ndjekur ish-shefja e tij, Madeline Albright, kur ka ndihmuar në themelimin e Tribubalit Ndërkombëtar Penal për Ish-Jugosllavi.