Arbëri

LIVE: Dita e dytë e dëshmisë së James Rubinit në rastin Thaçi dhe të tjerët

James Rubin dhe Hashim Thaçi

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi/oto ilustrim: KOHA

Rubin: Demaçi tha “o pavarësi, o të vdesim të gjithë”

55 min. më parë / 16 sht 2025 13:15
James Rubin

Për veprimtarin politik Adem Demaçi, James Rubin tha se pati një telefonatë të ashpër me Madeleine Albright, ku kishte thënë se ose do bëhej pavarësia ose do të vdisnin të gjithë.

Përpara kësaj, Rubin ka thënë se pas Rambujesë me Madeleine Albright e kishin thirrur Adem Demaçin se mendonin që kishte influencë mbi Thaçin dhe jo anasjelltas, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një dokument i cili tregohej se ishte i Albrightit lidhur me bisedat që ajo i ka pasur me Adem Demaçin, ndaj të cilit ishte kërkuar që ’a mbështeste Thaçin.

“Ai (Demaçi) tha se nuk më intereson se sa njerëz vdesin. Ka qenë biseda më e egër që kam dëgjuar ndonjëherë“, e kishte përshkruar Albright bisedën me Adem Demaçin.

Dëshmitari tha se ka qenë i pranishëm kur ka ndodhur kjo bisedë telefonike.

“Më kujtohet shumë mirë por na u duk se ishte një person që kishte autoritet jo fizik apo vertikal, por ideologjik. Hashim Thaçi mendonte se kishte nevojë për një person si Adem Demaçi që ta shtynim pak çështjen e pavarësisë. Ai nuk ka thënë që nuk duam pavarësi, por jo tani në këto momente dhe ai donte të tregonte se çështjen e pavarësisë mund ta diskojmë pak më vonë. Demaçi thoshte o pavarësi o le të vdesim”, tha Rubin.

Rubin tha se sipas tij, kjo ishte shenjë që Thaçi kishte nevojë për Demaçin.

“Sipas meje kjo ishte një shenjë që Thaçi kishte nevojë që Demaçi të thoshte që ta shtyjmë pak më vonë çështjen e pavarësisë. Prandaj, zoti Demaçi ishte eprori i tij nga vendimmarrja në këtë grup. Ai kishte nevojë për mbështetje ideologjike nga themeluesi apo personi kryesor ideologjik”, tha ai.

James Rubin tha se kjo fjalë ‘o pavarësi, o do të vdesim të gjithë”, iu u duk e egër.

“…dhe u përmend fjala ‘i etur për gjak”.

Rubin kishte thënë se Thaçin e kanë akuzuar kur po e bënte marrëveshjen me Serbinë

1 o. më parë / 16 sht 2025 13:01
James Rubin dhe Hashim Thaçi

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi/oto ilustrim: KOHA

James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i shtetit pranoi se në një intervistë në korrik të këtij viti, kishte thënë se ish-presidentin Hashim Thaçi e kanë akuzuar në momentin që po e bënte marrëveshjen me Serbinë.

Gjithashtu, Rubin kishte thënë se Gjykata Speciale është shembulli i drejtësisë ndërkombëtare që ka dalë jashtë kontrollit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Po tani tribunali i Kosovës është shembulli i drejtësisë ndërkombëtare që ka dalë jashtë kontrolli. Krijuan një çështje të pabazë për drejtuesin e çështjeve të Kosovës dhe e kanë akuzuar në momentin që po krijonte marrëveshje paqeje me Serbinë, e futën në burg. Ka qenë në burg për katër vite e më shumë por nuk janë në gjendje as t’i mbledhin të gjitha provat bashkë që tri vite e gjysmë sepse po shpikin ligjin”, u dëgjua të ketë thënë Rubin,

Dëshmitari tha se i kujtohet që i ka thënë këto deklarata dhe si rrjedhojë pjesë të videos u pranuan në prova materiale.

Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për këtë dëshmitar, duke shtuar se mund të kenë pyetje të tjera që dalin nga përmbledhje ose deklarata të dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes që nuk janë marrë ende. Pace tha se kjo do të varet krejtësisht prej deklaratave të dëshmitarëve të tjerë.

Prokurori- Rubinit: S’e keni lexuar aktakuzën, dosjen paragjyqësore e as s’i keni dëgjuar dëshmitarët por keni thënë që Thaçi ndiqet penalisht për arsye absurde

James Rubin u ballafaqua me deklarata të tij të mëhershme që i kishte dhënë në publik lidhur me procesin gjyqësor në Hagë dhe aktakuzën ndaj Hashim Thaçit dhe tjerëve.

Ai e kishte përshkruar Prokurorinë si turp në një deklaratë në korrik të këtij viti, për të cilën, Rubin tha se mund të ketë qenë shprehje e pamatur, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Mund ta kem përdorë atë fjalë që mbase ka qenë jo e matur. Por, kur je në televizion mbase përdor edhe fjalë që mbase nuk duhet përdorur. Sidoqoftë unë mund edhe ta tërheq edhe këtë fjalë”, deklaroi Rubin.

Dëshmitari kishte thënë se as nuk e kishte lexuar dosjen paragjyqësore, as aktakuzën dhe as nuk i kishte ndjekur dëshmitë e dëshmitarëve. Më pas, prokurori James Pace duke ia përmendur këtë fakt e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e dhënë në korrik lidhur me Prokurorinë.

“Ju thatë në televizion se zoti Thaçi po ndiqet penalisht për arsye krejt absurde. A është kjo ajo që keni thënë”, pyeti prokurori.

“Po, besoj që këtë e kam thënë”, tha James Rubin.

Në këtë intervistë, James Rubin kishte thënë se është turp që Thaçi mbahet në burg derisa Qeveria e Kosovës e krijoi vetë këtë Gjykatë.

“Ligji është shumë kompleks dhe fatkeqësisht mund të shpërdoret nga anët politike, nga grupet e të drejtave të njeriut në vetvete, nga gazetarët… Sinqerisht, besoj që në Ballkan ishte… i drejtësisë ka dalë jashtë kontrolli dhe këtë e shoh si shembull të Prokurorisë, konkretisht ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit është një turp. Qeveria e Kosovës e krijoi tribunalin vetë, e bëri të pamundurën dhe më pas ai ndiqet penalisht për gjëra krejt absurde se ai paska kontrolluar gjithçka që nuk është e vërtetë. E kanë mbajtur në burg për shumë vite sepse nuk dinë se si të vazhdojnë me këtë gjykim”, kishte deklaruar Rubin.

James Rubin kishte thënë se ushtria serbe ka kryer 95% të vrasjeve masive dhe të barazosh këtë me atë që bënë shqiptarët e Kosovës është absurde dhe për të ardhur keq.

“Fakti se nuk e lirojnë as me kusht presidentin dhe presin që të gjejnë prova dhe të gjejnë zgjidhje se si të vijojnë për këtë gjykim, mendoj se kjo është një problem”, kishte thënë Rubin.

Ai tha se ka qenë shumë herët në mëngjes intervista, por po ato ishin fjalët e tij.

 

Rubin: S’e mbaj mend që me Thaçin kemi folur ndonjëherë për Specialen

1 o. më parë / 16 sht 2025 12:43
rubin

Ish-këshilltari i lartë në Departamentin e Amerikan të Shtetit, James Rubin, tha se nuk e mban mend që e ka folur ndonjëherë me Thaçin lidhur me Dhomat e Specializuara.

 “Nuk më kujtohet çdo gjë që kemi biseduar. Pjesa kryesore e diskutimeve tona kishte të bënte me paqen e përhershme me Serbinë. Kjo ka qenë tema e punës pra, gjithçka tjetër mund të ketë qenë anësore”, tha Rubin, raporton KOHA.

Dëshmitari Rubin u përgjigj se kontaktin e fundit me Thaçin e pati para se t’i ngrihej aktakuza, në kohën kur punonte në kompaninë Ballard Partners e cila kishte kontratë lobimi me Qeverinë e Kosovës.

“Hera e fundit që kam qenë në kontakt me z. Thaçi, siç e thashë edhe dje në dëshminë time ishte në vitin 2020 kur e përfaqësoja atë në kërkim të marrëveshjes së paqes së përhershme me Serbinë. Në këtë periudhë të 2020-ës para ngritjes së aktakuzës kam punuar me të, kam biseduar me të. Gjatë vitit 2020 ka qenë hera e fundit pra që më kujtohet të jem takuar dhe që kam biseduar me z. Thaçi apo ndonjë prej përfaqësuesve të tij formalë”, tha Rubin.

Ai e konfirmoi para gjykatës se vlera e kontratës së kompanisë me Qeverinë ishte 56.000 euro në muaj.

Rubinit ia publikojnë foton me deputetin e PDK-së: Nuk më kujtohet, shqiptarët më kërkojnë shpesh foto

2 o. më parë / 16 sht 2025 11:56
rubin

James Rubin

James Rubin është pyetur edhe për një fotografi me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, të publikuar në kohën e fushatës zgjedhore të fillimvitit.

“A është ky Artan Behrami në anën e majtë?” është pyetur Rubini.

“Sa i takon zotëri Behrami nuk më kujtohet dhe shqiptarët e Kosovës më kërkojnë shpesh që të bëj fotografi me ta dhe unë përpiqem të jem sa më miqësor që të jetë e mundur. I kërkoj ndjesë atij, por nuk më kujtohet”, ka thënë Rubin.

I pyetur se a ka pas kontakte me një person tjetër me të njëjtin emër e mbiemër, Rubin është përgjigjur sërish me “nuk më kujtohet”.

Behrami, dyshohej se si ish-këshilltar i presidentit Hashim Thaçi ka ndërhyrë në procesin gjyqësor. Gjithsesi ndaj tij kanë pushuar hetimet.

James Rubin: Kjo nuk është drejtësi

2 o. më parë / 16 sht 2025 11:47
James Rubin

Prokurori James Pace e pyeti dëshmitarin James Rubin për qëndrimin e tij lidhur me Gjykatën Speciale. Ish-diplomati Rubin tha ndër të tjera se nuk e sheh si të drejtë që Thaçi është në bankën e të akuzuarve. Ai tha se e sheh të gjatë periudhën e paraburgimit.

“Fakti që të akuzuarit kanë qenë janë në burg për më shumë se pesë vjet dhe janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur të ndaluar për kaq shumë gjatë më shqetëson. Mendoj që lidhet me politikën dhe shtetin e së drejtës dhe mua më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur për pesë vite përpara se të ndiqet penalisht një çështje penale ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë shumë bashkëpunues me gjykatën. Kështu që në rastin e të akuzuarit në fjalë nuk e kuptoj fare se pse është dashur të qëndrojë në burg për pesë vite”, ka thënë ai.

Ish-zëdhënësi i DaSH-it tha se nuk e sheh si të drejtë gjykimin, tek shtoi se ky nuk ishte vizioni që e kishte ndjekur ish-shefja e tij, Madeline Albright, kur ndihmoi në themelimin e Trububalit Ndërkombëtar Penal për Ish-Jugosllavi.

“Unë, për vete, nuk e shoh këtë si shtet të së drejtës ose sundim të ligjit që shpresoja të krijohej nga sistemi ndërkombëtar ose të paktën – pa diskutim që sekretarja Albright nuk ka pasur këtë lloj drejtësie në mendje kur ka iniciuar krijimin e Trubunalit të Hagës për Ish-Jugosllavinë ose atë për Ruandën. Mua kjo më është dukur thjesht si një fajësim kolektiv për faktin se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së nëpër male dhe nëpër bjeshkë, mendoj që asnjë person tjetër jashtë UÇK-së s’e ka pasur këtë mundësi, duke e pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së: unë për tre ditë me radhë e kam parë se si janë sjellë ata. Se kush ishte përgjegjës, kush ishte komandanti, kush ishte mbështetës. Duke e pasur këtë lloj njohurie dhe duke e ditur se cilat kanë qenë zhvillimet, unë mendoj që kjo ka qenë e gabuar. Kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, por megjithatë kam të drejtën që ta them zëshëm mendimin tim”, tha Rubin.

Rubin: Më shqetëson fakti që dikush të qëndrojë i paraburgosur për pesë vjet, ata u dorëzuan vullnetarisht

2 o. më parë / 16 sht 2025 11:45
rubin

Dëshmitari James Rubin kishte refuzuar që të përgjigjej në pyetjet e Prokurorisë pa filluar dëshmia e tij, me arsyetimin se ai nuk mund t’i ndihmojë pikëpamjet e tyre. Por, ai foli për këto pikëpamje, duke thënë se e shqetëson fakti që të akuzuarit po qëndrojnë në paraburgim për pesë vite, duke u nisur nga fakti që ata u dorëzuan vetë dhe se ishin shumë bashkëpunues me gjykatën.

“Fakti që të akuzuarit kanë qenë në paraburgim këtu në Hagë për më shumë sesa 5 vite dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që ata janë të mbajtur për kaq shumë gjatë, më shqetëson. Mendoj që lidhet me politikën dhe me shtetin e së drejtës. Mua më shqetëson fakti që dikush të jetë i burgosur për pesë vite përpara se të fillojë të ndiqet penalisht një çështje penale ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë shumë bashkëpunues me gjykatën”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Rubin deklaroi se në këtë rast nuk e kupon fare se si është dashur që të akuzuarit të qëndrojnë kaq gjatë në paraburgim.

“Në rastin e të akuzuarve në fjalë, nuk e kuptoj fare që është dashur të qëndrojë në burg për 5 vite”, tha Rubin.

Përpara kësaj, prokurori James Pace tha se mbrojtja e Thaçit më 25 gusht të këtij viti ka thënë që Rubin nuk ka pranuar që të merret në pyetje nga ZPS-ja.

“A mund të na e jepni arsyen se pse e keni bërë këtë gjë dëshmitar?”, pyeti Pace.

“Është pyetje e mirë. Mendoj që jam munduar pafund që jem i disponueshm për këtë Gjykatë. Kam shpenzuar qindra orë përgatitje dhe ndjesia ime ishte që gjithë njohuritë që unë kisha ishin të pranishme në komentet që unë kam dhënë dhe mendoj që pikëpamjet e Prokurorisë nuk është se do të ndihmoheshin nga kontributi im i mëtejshëm, por mendoj që e kam dhënë të gjithë formacionin. Në qoftë se ju keni nevojë për pyetje, unë kam qenë këtu dje edhe sot”, u shpreh Rubin.

James Pace i tha dëshmitarit se mendon që pikëpamjet e tij ia vlejnë për Prokurorinë. Por, ai pyeti dëshmitarin se cilat janë ato pikëpamje sipas tij.

“Në rastin e të akuzuarve në fjalë, nuk e kuptoj fare që është dashur të qëndrojnë në burg për 5 vite”, deklaroi Rubin.

 

Rubin thotë se nuk i kujtohet incidenti i pretenduar në ndërtesën e MUP-it në Prizren

2 o. më parë / 16 sht 2025 11:25
Rubin

Dëshmitari James Rubin deklaroi të martën në Hagë se nuk i kujtohet incidenti në ndërtesën e MUP-it në Prizren.

Këtë deklarim, ai e bëri pasi u pyet se meqë në qershor të 1999-ës ishte në Kosovë, gjatë kësaj periudhe kohore a kishte dëgjuar për trupa të KFOR-it gjerman që janë gjetur në një ndërtesë të marrë nga UÇK-ja, 15 të burgosur- duke përfshirë një të moshuar të vdekur e të prangosur në karrige pasi ishte rrahur, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet ky incident pas kaq shumë vitesh.

“Nuk më kujtohet ky incident pas kaq shumë vitesh. Më vjen keq për këtë”, tha James Pace.

Gjatë çështjes së saj, Prokuroria pretendonte se kjo ndertësë i takonte më përpara MUP-it, por që ishte marrë më pas nga UÇK-ja.

Dëshmitarit iu prezantua një artikull i një media ndërkombëtare, ku shfaqeshin imazhe nga ky incident.

“Mbase kam dëgjuar lidhur me këtë incident, mund të kemi bërë thirrje për tolerancë, mos të merrej hak për vrasjet masive që iu bënë shqiptarëve dhe serbëve. Kemi inkurajuar shokët e komitetit shqiptar të Kosovës që të mos merrnin hak për horrorin që kishin përjetuar. Sigurisht që ne kemi dekurajuar aktivitete të tilla”, tha James Rubin.

ZPS-ja pyet Rubinin për ngjarje konkrete, ish-diplomati përgjigjet se nuk i kujtohen

2 o. më parë / 16 sht 2025 11:24
James Rubin

Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka pyetur dëshmitarin e propozuar nga mbrojtja, James Rubin, lidhur me ngjarje konkrete që përfshihen në aktakuzë në rastin më të madh të Speciales, por ish-diplomati amerikan disa herë është përgjigjur se nuk i kujtohen.

Prokuroria është thirrur në dokumente të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe raportime të mediave amerikane si NewYork Times e britanike – BBC, por ai u përgjigj se nuk i mban mend incidentet konkrete pas 26 vjetësh.

Ish-zëdhënësi i DASH-it dhe këshilltari i lartë i sekretares Madeline Albright u pyet lidhur me raportimin e NewYork Times më 19 qershor 1999 për një artikullin me titull “Rebelët në Kosovë marrin qytetet; raportohet për dhunë”. Prokurori James Pace e pyeti për artikullin me nëntitullin “15 të burgosur të lënduar – NATO-ja konfiskon armë” që flet për hyrjen e forcave të KFOR-it gjerman brenda ish-objektit të MUP-it në Prizren.

“ ‘...hynë në një ish-seli të policisë serbe që e kishte marrë përsipër UCK-ja, ndaluan shkurtimisht 25 pjesëtarë të forcave guerrile dhe sekuestruan një grumbull me armë. Brenda stacionit, trupat gjermane gjetën 15 persona që ishin burgosur përfshirë një të moshuar që u gjet i vdekur, i prangosur në një karrige dhe i rrahur keq... Sipas zëdhënësit gjerman të burgosurit ishin serbë, shqiptarë dhe romë. Nuk ishte e qartë përse u arrestuan por, disa kalimtarë thanë se të burgosurit ishin informatorë dhe hajdutë. Një burrë kishte një rrip të kuq mbi shpinë, një i moshuar kishte një fasho përgjatë kohës dhe prerje në fytyrë, një tjetër ishte goditur me thikë në këmbë’. Pra dëshmitar ju po thoni që nuk iu kujtohet kjo storie konkrete që ka qenë në ballinën e New York Times e ju keni dëshmuar se keni qenë pikërisht në Kosovë në atë kohë dhe nuk keni dëgjuar asgjë për këtë”, pyeti prokurori James Pace.

“Mbase kam dëgjuar lidhur me këtë incident, mund të kemi bërë thirrje për tolerancë, kemi bërë thirrje për të mos marrë hak për vrasjet masive të bëra ndaj shqiptarëve nga serbët dhe i kemi inkurajuar shokët e komunitetit shqiptar të Kosovës të mos merrnin për atë që i kishte ndodhur, për tmerrin që e kishin përjetuar dhe sigurisht që ne i kemi dekurajuar aktivitetet e këtilla”, tha Rubin. Në pyetjen e prokurorit se a ka arsye për ta kontestuar përmbajtjen e artikullit, dëshmitari u përgjigj se nuk ka arsye për ta vënë në pikëpyetje atë.

Ngjashëm ai u përgjigj edhe për rastin e Qirezit dhe Baicës për të cilin ka dëshmuar Gjergj Dedaj (ku pretendohet se janë ndaluar e keqtrajtuar politikanët) për ndalimin e aktivistëve të LDK-së nga Malisheva, Cen Deskut e Jakup Kastratit. Rubin u përgjigj se nuk i mban mend konkretisht këto ngjarje.

Rubin: Fillimisht e përshkruam UÇK-në si terroriste, qëndrimi ndryshoi me kalimin e kohës

2 o. më parë / 16 sht 2025 11:17
James Rubin

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon dëshmia e James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit. Dëshmia e tij është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Dëshmia e tij po vazhdon me pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në ditën e dytë të dëshmisë, James Rubin tha se “derisa e kuptuan situatën më mirë”, Shtetet e Bashkaura të Amerikës e përshklruanin UÇK-në si “organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste”, raportoi KSP-ja.

“Ndoshta ne shkelëm dëshirën që të ishim në anën e engjëjve gjithmonë, sepse për një periudhë të caktuar kohore derisa e kuptuam më mirë situatën, ne fillimisht e përshkruam UÇK-në si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste dhe ne sigurisht me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, ne nuk donim që të vidheshim apo të mbështesnim që zhvillojnë apo bëjnë aktivitete terroriste. Ky qëndrim pastaj ndryshoj me kalimin e kohës, veçanërisht pasi UÇK u pajtua me marrëveshjen e Rambujesë, dhe pastaj e konsideruam atë që ishin në anën e engjëjve sepse nënshkruan marrëveshjen e paqes”, u shpreh ai.

Dëshmia e tij po vazhdon me pyetjet e prokurorit të specializuar, James Pace.

Në dëshminë e tij, James Rubin të hënën kujtoi takimet me ish-presidentin e Kosovës, derisa hodhi poshtë pretendimet se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e drejtues të tjerë të UÇK-së kanë ekzekutuar apo vrarë njerëz.

Paraprakisht, në pyetjet e avokates së Jakup Krasniqit, Venketasëari Alagenda, Rubin tha se serbët janë përpjekur të fajësojnë gjithmonë UÇK-në.

James Rubin është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Rubin: Nuk më kujtohet rasti në Qirez dhe prania e Thaçit atje

2 o. më parë / 16 sht 2025 11:13
James Rubin

Dëshmitari James Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se nuk i kujtohet incidenti i pretenduar në Qirez, ku thuhet se janë ndaluar 13 politikanë shqiptarë, e që gjashtë prej tyre janë torturuar.

“Nuk më kujtohet një pretendim i tillë”, tha ai, raportoi “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari më pas u pyet se a ka dijeni në rast që Thaçi ka qenë i pranishëm në incidentin e pretenduar në Qirez.

“Nuk më kujtohet as ngjarja, as incidenti, as prania ose mosprania e tij’, tha James Rubin.

Përpara kësaj, prokurori James Pace, tha se sipas dokumenteve, autoritetet në SBBA e dinin se anëtarët e UÇK-së kishin arrestuar Jakup Kastratin dhe Cen Deskun me pretendimin se kanë bashkëpunuar me serbët. Por, dëshmitari tha se nuk i kujtohet kjo pas 25 viteve.

“Nuk më kujtohet kjo pas 25-26 vjetëve”, ka thënë dëshmitari.

Prokurori e pyeti dëshmitarin se a është në dijeni që raporti i DASh për praktikat e respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë më 1998, thotë që UÇK-ja është përgjegjëse për vrasje, zhdukje, rrëmbime e ndalime, duke përfshirë edhe civil serbë e shqiptarë që ishin perceptuar si mbështetës të autoriteteve serbe.

“Ma merr mendja se po”, tha dëshmitari duke shtuar se ‘nuk i kujtohet një pretendim konkret lidhur me këtë”, kur u pyet se a përmend raporti edhe raste kur ka pasur tortura prej anëtarëve të UÇK-së.

Sipas Pace, raporti thotë se UÇK-ja ka rrëmbyer dy gazetarë në tetor të 1998-ës dhe i kanë dënuar me burgim.

“Nuk më kujtohet pas kaq shumë vitesh, por nuk kam arsye për ta kundërshtuar”, tha Rubin.

Por, Rubin tha se ia merr menja që në raport është thënë se personat që cilësoheshin si bashkëpunëtorë dhe punonin për autoritetet serbe, ishin kërcënuar.
 

Rubin për Selimin: Është shumë e mundur që e kam takuar

2 o. më parë / 16 sht 2025 11:11
James Rubin - Rexhep Selimi

James Rubin tha se me shumë mundësi e ka takuar Rexhep Selimin gjatë periudhës së luftës, por që nuk i kujtohen gjithmonë emrat.

“Është shumë e mundur që po. Kam takuar shumë shumë komandantë të UÇK-së gjatë viteve, por nuk më kujtohen gjithmonë emrat sepse kjo ka ndodhur para 25 vitesh”, tha Rubin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

James Rubin tha se lidhur me periudhën e viteve 1996-1998 që po përshkruhet nga prokurori James Pace, një ambasador ishte përgjegjës për këtë periudhë.

Sipas Rubin, atëkohë personat e UÇK-së i quanin “persona që bëninin aktivitete terroriste”. Ai tha se ndoshta në këtë rast kanë shkelur dëshirën e tyre për të qenë në anën e ‘engjëjve’ derisa e kuptuan të drejtën.

Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit tha se deri e kuptuan se kush ishin ata, nuk dëshironin që t’i mbështesnin.

Rubin shtoi se e kuptuan që UÇK-ja ishte në anën e engjëjve se nënshkruan marrëveshjen e paqes.

James Rubin për Kadri Veselin: Nuk më kujtohet ky individ

3 o. më parë / 16 sht 2025 11:09
James Rubin - Kadri Veseli

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të martën po e vazhdon dëshminë ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për këtë dëshmitar po i vazhdon prokurori James Pace, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit i cili e pyeti nëse e ka takuar Kadri Veselin para shkurtit të 1999-ës, dëshmitari James Rubin tha se nuk i kujtohet Veseli.

“Nuk më kujtohet ky individ dhe nuk mund t’i përgjigjem pyetjes”, tha Rubin.

Ndonëse prokurori tha se ka qenë Veseli pjesë e delegacionit në Rambuje, sërish James Rubin tha se nuk e di.

Ndërkaq, pohoi se gjatë marrëveshjes së Rambujesë, në Kosovë mbaheshin takime në mes komandantëve të UÇK-së të cilat nuk ishin të mbyllura.

Dëshmitari tha se nuk është i sigurt nëse ka marrë pjesë në ndonjërën prej tyre. Ai tha se mund të ketë rast që ka qenë i pranishëm ndonjëherë por që nuk ka kuptuar shqip.

Rubin theksoi se nuk mendon që është takuar më herët me Jakup Krasniqin përpara shkurtit të 1999-ës.

“(Shkurti 1999 në Rambuje dhe prilli 1999 në Brukesl) ato mendoj që janë dy rastet që jam takuar me të. Ka pas shumë gjëra që po ndodhnin gjatë atyre muajve dhe nuk mund të jem absolutishit i sigurt”, tha Rubin.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Rubin: Nuk më kujtohet nëse Krasniqi e Veseli ishin pjesë e delegacionit në Rambuje

3 o. më parë / 16 sht 2025 10:19
James Rubin

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin, ka thënë se nuk i kujtohet nëse Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli ishin pjesë e delegacionit shqiptar në Rambuje.

“Nuk më kujtohen të gjithë emrat, sepse kjo ka ndodhur para 25 vjetësh”, ka thënë ai në ditën e dytë të dëshmisë në Hagë.

Rubini ka thënë se nuk ka informacion për dallimet brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur është pyetur për një dokument në të cilin thuhej se Adem Demaçi e përshkruante Hashim Thaçin si zëdhënës.

James Rubin sot vazhdon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët

5 o. më parë / 16 sht 2025 08:13
James Rubin

Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot do të vazhdojë dëshminë këshilltari i lartë i sekretares amerikane, Madeline Albright dhe zëdhënësi i departamentit amerikan të Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin. 

Ai do të vazhdojë dëshminë nga ora 9:00, ndërkohë që transmetimi i seancës bëhet me 45 minuta vonesë.

Rubin është në mesin e dëshmitarëve të mbrojtjes në rastin ku ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte.  

Rubin dëshminë e tij e ka filluar të hënën. 

Diplomati amerikan gjatë dëshmisë ka thënë se nuk ka marrë asnjëherë informata për përfshirjen e udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Dëshmitari i parë i propozuar nga mbrojtja tha se nëse do të merrte informata të tilla, mbështetja amerikane për Ushtrinë Çlirimtare dhe shqiptarët do të tërhiqej.

Rubin, që u përfshi edhe në negociatat e Rambujesë e edhe në ato për çarmatosjen e UÇK-së, tha se Thaçi u përgjigjej komandantëve dhe jo komandantët atij.

Rubin, i cili pati kontakt direkt me Hashim Thaçin gjatë negociatave të Rambujesë, tha se ai ishte fytyra e gueriles, por jo vendimmarrës. 

Gjykimi i rastit më të madh të Speciales pritet të përfundojë këtë vit, kur mbrojtja pritet ta dorëzojë dosjen përfundimtare.

Pos Rubinit, para gjykatës pritet të dalin edhe 10 ose 11 dëshmitarë të tjerë.