LAJMET E MBRËMJES

Rizvanolli: Kompanitë deshën të tërhiqeshin, shkaku i sulmit në Banjskë

Ministria e Ekonomisë ka publikuar emrat e gjashtë ofertuesve vendorë e ndërkombëtarë për ndërtimin e parkut të parë të energjisë solare në Kosovë, prej 100 megavatesh. Ministrja Artane Rizvanolli bëri të ditur se një prej arsyeve që afati për dorëzimin e aplikimeve është shtyrë tri herë, është sulmi i fundshtatorit të shkuar në Bajnskë

Tek në tentativën e tretë, Ministria e Ekonomisë ka përmbyllur procesin e aplikimit për ndërtimin e impiantit të parë solar prej 100 megavatesh, ani se ankandi ka qenë i shpallur që prej nëntë muajsh.

Në praninë e disa investitorëve, të shtunën u bë hapja publike e ofertave të gjashtë kompanive vendore e ndërkombëtare, dy nga Kosova, dy nga Turqia, e nga një prej Francës dhe Egjiptit.

Ministrja Artane Rizvanolli, tek u pyet lidhur me shtyrjen tri herë të afatit për dorëzimin e ofertave që nga 15 gushti, tha se një prej arsyeve ishte e lidhur me situatën e sigurisë, pas sulmit të grupit paraushtarak serb në Banjskë të Zveçanit.

“Herën e tretë ka qenë veçanërisht sulmi në Banjskë që ka qenë 10 ditë para përmbylljes së afatit të ofertave. Ne kemi pasur informata që disa kompani që kanë pasur plan të investojnë, të planifikojnë të tërhiqen për shkak se ka krijuar pasiguri dhe për të mos rrezikuar që kompani që dëshirojnë të investojnë të tërhiqen për shkak të pasigurisë, perceptimit të pasigurisë, kemi dashur që ta lëmë një afat shtesë në mënyrë që t’i sigurojmë që Kosova është një vend i sigurt për investime”, ka thënë ministrja Rizvanolli.

Ndërkaq, shtyrja herën e parë dhe të dytë, tha se u bë me kërkesë të investitorëve për afate shtesë.

“Në të tri rastet ka pasur kërkesa nga kompani ose konsorciume që kanë qenë të interesuara të aplikojnë, mirëpo u është dashur kohë shtesë, afat shtesë për përgatitje të dokumentacionit, për hulumtime shtesë, e të tjera. Hera e parë ka qenë veçanërisht të them problematike, sepse ka qenë mesi i verës, andaj ka qenë e natyrshme që shumë kompani e kanë pasur të pamundur të aplikojnë. Herën e dytë gjithashtu e kemi parë që ka kompani të cilat janë formuar më vonë dhe kanë pasur interesim të aplikojnë”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo i kualifikoi ofertuesit e prezantuar si seriozë dhe me eksperiencë në fushën e energjisë së ripërtritëshme, teksa njoftoi se pas fazës së parë do të ketë edhe një të dytë.

Ankandi është një proces konkurrues, nëpërmjet të cilit Qeveria do të blejë energji elektrike që gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme. E kontrata e ankandit jepet në bazë të çmimit më të ulët të garantuar të blerjes.

Nëpërmjet këtij ankandi pritet që të bëhet instalimi i paneleve me kapacitet të prodhimit të 100 megavateve të energjisë solare, në një vlerë prej 75 milionë eurosh.