Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Parku solar në Rahovec, tash e dy vjet veç në letër

Parku solar në Rahovec, tash e dy vjet veç në letër

Dy vjet pas shpalljes së fituesit të ankandit solar nuk ka asnjë gjurmë të fillimit të punimeve në ndërtim të projektit prej 100 megavatësh në Rahovec. Në Ministrinë e Ekonomisë nuk janë përgjigjur për vonesat, ndërsa në nivelin lokal thonë se i kanë kryer të gjitha procedurat brenda afatit. Përgjigje për vonesën nuk kanë kthyer as nga konsorciumi fitues “Orllati Group”

Asnjë panel diellor nuk është vendosur në fshatrat Kramovik dhe Guri i Kuq të Rahovecit, ani se aty nga marsi i vitit të kaluar parashihej fillimi i ndërtimi i parkut të parë solar me kapacitet prej 100 megavatësh.

Në maj të vitit 2024 ishte nënshkruar kontrata ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe konsorciumit fitues “Orllati”, e cila parasheh që në hapësirën prej 117 hektarësh të vendosen 258 mijë panele solare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por pse nuk ka filluar puna në këtë projekt, në Ministrinë e Ekonomisë nuk janë përgjigjur që nga e enjtja.

E në një përgjigje të dhënë në janar të këtij viti, nga ministria kanë thënë se projekti është në fazën e kontraktimit të kompanisë për inxhinieri, prokurim dhe ndërtim.

“Projekti ‘Lindja Solar’ L.L.C., është zhvilluar sipas procedurës konkurruese të ankandeve dhe sipas kushteve të Marrëveshjes për Zhvillimin e Projektit (MZHP) ka obligim ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet solare/fotovoltaike, me kapacitet të instaluar prej 100 MW, ZK Kramovik ZK Petkoviq, Komuna e Rahovecit. Projekti ka siguruar të gjitha pëlqimet dhe lejet e nevojshme dhe aktualisht ndodhet në fazën e kontraktimit të kompanisë për Inxhinieri, Prokurim dhe Ndërtim (EPC) të centralit solar”, thuhet në përgjigjen e muajve më parë të ministrisë.

Nga konsorciumi “Orllati” po ashtu nuk janë përgjigjur për shkaqet e vonesave në fillimin e ndërtimit të parkut, e as se kur pritet të fillojë së ndërtuari ky projekt që do të siguronte energji elektrike për 20 mijë familje.

Nëse ky projekt nuk realizohet, investitori ka garantuar me 7.5 milionë euro të dorëzuara te Ministria e Ekonomisë, e cila mund t’i tërheqë pa kushte në rast se konsorciumi dështon në ndërtim.

E në nivelin lokal thonë se të gjitha pëlqimet dhe lejet e nevojshme që janë përgjegjësi e Komunës, janë kryer me brenda afateve. Kryetarit i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha për KOHËN se në komunikimet me konsorciumin “Orllati” është premtuar që puna do të fillojë në maj ose qershor të këtij viti.

“Sipas informatave të fundit, mendohet që diku maj ose deri në qershor të fillojë puna në vendosjen e paneleve diellore. Problemi në teren është se me gjasë ka ndodhur një paqartësi brenda konsorciumit, por që tashmë janë tejkaluar. Në një komunikim që e kam pasur me Orllati Group para një muaji, më kanë thënë se për dy muaj e gjysmë do t’ia nisin punën në terren”, ka thënë Latifi.

Latifi beson në realizimin e këtij projekti, duke thënë se kjo do të ishte dëshmi që Komuna e Rahovecit ka potencial për zhvillimin të energjisë së ripërtritshme nga dielli.

Shteti, përmes KOSTT-it ka garantuar se do ta blejë energjinë e prodhuar për 15 vjet. Energjia është siguruar me çmim prej 48.88 eurosh për megavat për orë. Aktualisht për kapacitetet solare paguhet 161 deri në 167 euro për megavat për orë.