Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Rinis gjykimi ndaj Lushtakut e të tjerëve për frikësim të dëshmitarëve në rastin “Drenica”

Sami Lushtaku

Ka rinisur gjykimi për krim të organizuar lidhur me frikësimin e dëshmitarëve në rastin e njohur si “Drenica”. Të akuzuar në këtë rast janë kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe shtatë të tjerë. Gjykata e ka obliguar Prokurorinë që ta sqarojë statusin e dëshmitarëve, për të cilët në kohën e EULEX-it ka pasur kërkesë që të jenë të mbrojtur. E avokatët e të pandehurve kanë kërkuar që sa më shpejt t’i jepet epilog procesit të nisur më 2016

Ka rifilluar gjykimi ndaj kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe shtatë të akuzuarve të tjerë për frikësim të dëshmitarëve në rastin për krime lufte, të njohur si “Drenica”. 

Gjykimi për një kohë të gjatë u pati ndërprerë shkaku i avancimit në Apel të kryetarit paraprak të trupit gjykues. Tash procesin e ka marrë përsipër gjyqtari Leon Përlaska.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pasi të gjithë të akuzuarit janë deklaruar sërish të pafajshëm, Gjykata ka konstatuar se është i paqartë statusi i dëshmitarëve, që sipas prokurorisë janë të mbrojtur.

“Prokurorja e ka bashkëngjitur në shkresa të lëndës një kërkesë për masa mbrojtëse e datës 3.10.2016 e përpiluar nga prokurori i EULEX-it, Romulo Mateus, me të cilën është kërkuar që personat e caktuar të hyjnë në programin për mbrojtje të dëshmitarëve. Në shkresat e lëndës shihet se komisioni i EULEX-it për mbrojtje të dëshmitarëve ka konfirmuar se ka pranuar kërkesën për mbrojtje, e ka trajtuar të njëjtën, mirëpo nuk kemi vendim nëse ky komision e ka aprovuar këtë kërkesë”, ka thënë Përlaska. 

E prokurorja Florije Salihu-Shamolli ka theksuar se ata janë në listën e dëshmitarëve të mbrojtur të EULEX-it, porse nuk ka gjetur vendime për këtë. 

“Unë në seancat e kaluara, por edhe me shkresë zyrtare iu kam drejtuar ish-kryetarit të trupit gjykues e kam paraqitur dokumentacionin që e posedon prokuroria për dëshmitarët e mbrojtur e që janë nën monitorimin e njësisë së EULEX-it. Unë i kam parë të gjitha shkresat e lëndës dhe aty figuron vetëm një kërkesë për dëshmitarë të mbrojtur dhe njësiti i EULEX-it këta i ka vënë në listën e dëshmitarëve të mbrojtur. Vendim të gjykatës nuk ka”, ka thënë Salihu-Shamolli.

Kryetari i trupit gjykues e ka obliguar prokurorinë që ta saktësojë statusin e tyre.

“Obligohet prokurori i shtetit që në afat prej 15 ditësh nga kjo seancë t’i sigurojë gjykatës vendimet për llojin e mbrojtjes së dëshmitarëve nëse ka të tilla, në të kundërtën detyrohet të paraqesë propozime konkrete brenda afatit të lartshënuar se a propozon të dëgjohet ndonjë dëshmitar dhe nëse po, cilët dëshmitarë dhe në cilat rrethana”, është shprehur Përlaska. 

E mbrojtësit e të akuzuarve kanë paraqitur shqetësimet e tyre dhe kanë kërkuar që procesi të mos ngecë, meqë aktakuza për këtë rast është ngritur në vitin 2016. 

Avokati i Lushtakut, Artan Qerkini, ka thënë se meqë nuk ka aktvendime që i shpallin dëshmitarët e mbrojtur, ata nuk mund të paragjykohen si të tillë. 

“Emrat e dëshmitarëve për pikat e aktakuzës, ne të gjithë i dimë. Janë të shkruara në aktakuzë. Të gjithë i dimë. Nëse mendon që ka ndonjë aktvendim, pa kode e me emra dhe mbiemra. Për më shumë nuk ka aktvendim për mbrojtjen e tyre fizike, sepse ajo s’ka të bëjë me anonimitet, por me mbrojtjen e tyre fizike – e edhe ai aktvendim mungon. Në mungesë të këtyre aktvendimeve, këta dëshmitarë nuk mund të konsiderohen dëshmitarë të mbrojtur”, ka thënë Qerkini.

Arianit Koci, i cili është avokat i të akuzuarit Rrustem Rukolli, ka kërkuar që gjykimi të përfundojë sa më parë, meqë i mbrojturi i tij ka pasur edhe pasoja shkaku i tij. 

“Mbetem pranë fjalës hyrëse dhe e kisha lutur gjykatën që nëpër këtë golgotë klienti im Rrustem Rukolli në mënyrë të padrejtë po e kalon qe disa vite dhe e ka pësuar edhe me shëndet e edhe me humbje në biznes”, ka theksuar Koci. 

Në këtë rast, krahas Lushtakut, të akuzuar janë edhe Ismet Haxha, Rrusten Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Bajram Dibrani e Sheremet Jashari. Prokuroria pretendon se ata, si grup kriminal, kanë kryer veprat penale: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare” dhe “Frikësim gjatë procedurës zyrtare”, nga qershori i 2013-tës deri në shtator të 2015-tës, duke i detyruar dy dëshmitarë që t’i ndryshojnë dëshmitë e tyre në rastin “Drenica”. 

Akuzat në rastin “Drenica” lidhen me keqtrajtim të civilëve në Likoc gjatë luftës. Për të tashmë janë dënuar disa persona.