Prokuroria Speciale ka kërkuar që Sami Lushtaku dhe të tjerët të shpallen fajtor për akuzën për frikësim të dëshmitarëve në rastin për krime lufte, të njohur si “Drenica”. Sipas Prokurorisë, ekzistojnë prova ku dëshmohet se të akuzuarit kishin ndikuar në ndryshimin e deklaratës së dëshmitarit. E vetë të pandehurit, i kërkuan Gjykatës që të lirohen nga akuza
Të shpallen fajtorë e të dënohen sipas ligjit, ka kërkuar Prokurorja speciale, Florije Salihu Shamolli, për Sami Lushtakun e të tjerët, të akuzuar për frikësim të dëshmitarëve në rastin për krime lufte, të njohur si “Drenica”.
Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja tha se provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve.
“Këta kontaktuan me dëshmitarë, e morën përsipër t’ia sigurojnë bashkëshorten, e morën përsipër që t’ia sigurojnë një banesë në Fushë Kosovë, i premtuan pagë mujore në vlerë prej 500 euro, si dhe të gjitha shpenzimet të cilat ky dëshmitar do t’i kishte për nevojat e veta”, ka thënë prokurorja Salihu.
Sipas saj, dëshmitari për të cilin pretendohet se të akuzuarit kishin ndikuar në ndryshimin e deklaratës së tij, kishte nisur të fliste për rastin në momentin kur të akuzuarit nuk po i përmbushnin premtimet ndaj tij.
Ndryshe nga Prokuroria, të pandehurit kërkuan të lirohen nga akuza.
Edhe
Lushtaku: Që 13 vjet jam i penalizuar dhe i përndjekur nga EULEX-i
I pandehuri, Sami Lushtaku u ankua në sistemin e drejtësisë, për të cilin tha se prej më shumë se një dekade është duke e persekutuar.
“Unë që 13 vjet persekutohem nga drejtësia e EULEX-it pa argumente dhe fakte. Për mua është e rëndësishme që unë e ndiej veten të pafajshëm dhe e ndiej veten qe 13 vite i penalizuar dhe i përndjekur nga gjykatat e EULEX-it. Unë asnjëherë nuk kam kërkuar mëshirë, kam kërkuar gjithmonë vetëm drejtësi, edhe në këtë rast kërkoj vetëm drejtësi”, ka thënë Lushtaku.
Njëjtë, si ai, kërkesë për t’u liruar nga akuzat bënë edhe të akuzuarit tjerë, Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Bajram Dibrani e Sheremet Jashari.
Që të shpallen të pafajshëm, kërkuan edhe avokatët e të akuzuarve.
“Ajo që ne kuptuam është se Prokuroria po kërkon nga trupi gjykues që t’i besohet një dëshmitari i cili paska dhënë një deklaratë në fazën e hetimeve, e paska ndryshuar atë deklaratë, paska kërkuar mjete financiare për me ndryshuar deklaratën dhe këtu kur ka ardhur në këtë sallë gjykimi ka ndryshuar në mënyrë kontroverse”, ka thënë Artan Qerkini, avokat i Lushtakut.
Ndërkaq, avokati i Rukollit, Arianit Koci, tha se prokuroria nuk ka prova inkriminuese për klientin e tij.
“Prokuroria nuk ka provuar se cilat veprime konkrete i ka kryer klienti im dhe me cilat prova mbështeten këto pretendime. Gjykata duhet ta liroj nga të gjitha akuzat”, ka bërë thirrje Koci.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit, si grup kriminal, kanë kryer veprat penale: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare” dhe “Frikësim gjatë procedurës zyrtare”. Sipas aktakuzës, ata nga qershori 2013 deri në shtator 2015, i kanë detyruar dy dëshmitarë t’i ndryshojnë dëshmitë e tyre në rastin “Drenica”.
Edhe
Lushtaku mbrohet në heshtje në gjykimin për “kërcënimin e dëshmitarëve”
Akuzat në rastin “Drenica” lidhen me keqtrajtim të civilëve në Likoc gjatë luftës. Për këtë rast janë dënuar disa persona.
Shpallja e vendimit pritet të jepet të martën.