LAJMET E MBRËMJES

Raporti për Kosovën, BE-ja thotë se mungon gjykimi i krimit dhe korrupsionit

Situata në veri të Kosovës mbetet e brishtë, veçanërisht për sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, konstaton një raport i Bashkimit Evropian mbi të drejtat e njeriut të vitit të shkuar.

Mes çështjeve të tjera, raporti e trajton edhe atë të ambientit të vështirë për lirinë e shprehjes, përfshirë sulmet e protestuesve të dhunshëm serbë ndaj gazetarëve gjatë tensioneve të fundit në veri.

“Dorëheqjet masive të serbëve të Kosovës nga institucionet publike dhe ngritja e postblloqeve ndikuan negativisht në situatën e sigurisë dhe sundimin e ligjit në rajonin verior, ku sistemi i drejtësisë dhe policia funksionojnë me kapacitete shumë të reduktuara”, thuhet në raport.

Më tej, raporti i potencon krizat që përsëriten në veri dhe përpjekjet e Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve.

“Ka pasur kriza të përsëritura në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2022 dhe situata në terren mbetet e brishtë. Megjithatë, në vitin 2022, palët miratuan një Udhërrëfyes për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë, ranë dakord për udhëtim vetëm me karta identiteti dhe arritën një marrëveshje që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme për targat, për të mundësuar që dialogu të fokusohet në propozimin e fundit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve”.

Në dokument përmendet edhe fakti se në vitin 2022, Kosova gëzonte stabilitet politik me një shumicë solide në Kuvend.

Por ani se mjedisi politik konsiderohet se ka qenë i favorshëm për t’i rritur përpjekjet në funksion të forcimit të demokracisë dhe të sundimit të ligjit, si ngecje përmendet atmosfera e polarizuar dhe mungesa e kuorumit për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.

Gjithashtu në raport është përfshirë edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës.