LAJMET E MBRËMJES

Rama i sigurt se Vuçiqi do të jetë i pranishëm në Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur i sigurt se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të marrë pjesë në Samitin e BE-së që do të zhvillohet gjatë javës së ardhshme në Tiranë, përkundër deklarimeve të tij se do ta bojkotojë samitin për shkak të emërimit të Nenad Rashiqit ministër për Komunitete dhe Kthim. E kryeministri Albin Kurti ka kritikuar qasjen e Vuçiqit, duke e quajtur atë student politik të Vojislav Sheshelit.

Paralajmërimet për mospjesëmarrje të Serbisë në Samitin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor që do të mbahet më gjashtë dhjetor në Tiranë, i ka kualifikuar si të papranueshme kryeministri Edi Rama.

Gjatë një bisede virtuale me media dhe me qytetarët, kryeministri i Shqipërisë ka thënë se Serbia nuk ka rrugë tjetër pos t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për pjesëmarrje.

“Unë nuk emocionohem nga asnjë lloj deklarate që bëjnë politikanët brenda apo jashtë vendit tonë për qëllime të politikës së tyre të brendshme. Serbia do të jetë në Samit dhe presidenti i Serbisë nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç që të vijë në Samit, dua ta them këtë me bindje, sepse e kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë dhe për vetë atë besoj”, ka thënë Rama.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë gjatë javës se do ta bojkotojë Samitin e BE-së në Tiranë, për shkak të emërimit të Nenad Rashiqit ministër për Komunitete dhe Kthim nga kryeministri Albin Kurti.

Vuçiqi e quajti Kurtin “llum terrorist”.

Atij i është përgjigjur kryeministri Albin Kurti.

Në një intervistë për televizionin “N1” të Sarajevës, Kurti ka kritikuar qasjen e Vuçiqit, duke e quajtur atë student politik të Vojislav Sheshelit.

Ai ka thënë se është e vështirë të arrihet një marrëveshje Kosovë – Serbi.

“Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë sot, është student politik i Vojisllav Sheshelit. Ndërsa unë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, unë jam student politik i Adem Demaçit. Dhe ky ballafaqim, kjo përplasje ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, është në një mënyrë thelbësore, përplasje ndërmjet Adem Demaçit, atij vizioni dhe asaj trashëgimie, dhe Vojisllav Sheshelit në anën tjetër”, ka thënë Kurti.

Për ta bindur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të marrë pjesë në Samitin e BE-së, të hënën në Beograd do të shkojë emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

“Novosti” raporton se pas këtij takimi Vuçiq do të vendosë nëse do të udhëtojë për në Tiranë.

Në Samitin e së martës në Tiranë do të diskutohet për luftën në Ukrainë, migracionin, luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe për përforcimin e sigurisë.

Kosova në Samit do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.

Ky organizim do të shënojë vizitën e parë të një presidenti francez në Shqipëri.