Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën do ta presë në takim emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, raporton “Novosti”.
Sipas mediumit serb, takimi pritet të nisë në ora 11:00, ndërsa pas takimit Vuçiq do të vendosë nëse do të udhëtojë në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkan Perëndimor, që nisë më 6 dhjetor.
Vuçiq kishte reaguar pasi që në vend të Goran Rakiqit u emërua Nenad Rashiq në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Këshilltare e Rashiqit u emërua Rada Trajkoviq. Madje Vuçiq e kishte cilësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti "llum terrorist".
Vuçiq kishte paralajmëruar se do ta anulojë vizitën në Tiranë.
E në lidhje me këtë ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ai sot në një bashkëbisedim me gazetarë tha se është i bindur se Vuçiq do të marrë pjesë, pasi përndryshe “do të ishte katastrofë për Serbinë dhe vetë presidentin e këtij vendi”.