LAJMET E MBRËMJES

Radman: Modeli për pakicat – që synon ta zbatojë Kosova – ka qenë i suksesshëm në Kroaci

E, modelin që Kroacia e ka aplikuar për pakicat, e ka lavdëruar kryediplomati Gordan Grliq Radman gjatë qëndrimit në Kosovë. Ndërkaq homologia e tij kosovare, Donika Gërvalla, tha se për serbët Kosova pranon vetëm zgjidhje që nuk shkelin sovranitetin, kushtetutën dhe funksionalitetin e shtetit.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kroacisë, Gordan Grliq Radman, tha se ka rezultuar i suksesshëm modeli i përdorur për pakicat në këtë shtet, e të cilin kryeministri Albin Kurti e ka propozuar si zgjidhje për serbët e Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, kryediplomati kroat tha se suksesi i përdorimit të tij varet nga shteti që e adapton.

“Sa i përket mënyrës së mëtejme të integrimit të komunitetit serb dhe gjithashtu rendit kushtetutës të Republikës së Kosovës, ia lëmë Kosovës. Është një çështje e brendshme e Kosovës dhe natyrisht e dialogut Kosovë-Serbi, por sigurisht që ne mbështesim çdo rezultat, çdo marrëveshje që është rezultat i dakordimit dhe Kroacia këtu vetëm mund të mbështesë çdo qasje e cila ka për qëllim marrëveshjen”, tha Grliq Radman.

Radman ka mbërritur në Kosovë të hënën mbrëma, ndërkaq të martën është pritur nga homologia e tij kosovare, Donika Gërvalla.

Kryediplomatja tha se për serbët Kosova pranon vetëm zgjidhje që nuk shkelin sovranitetin, kushtetutën dhe funksionalitetin e shtetit.

“Çfarë kemi parë në Bosnjë-Hercegovinë përmes Republikës serbe të instaluar atje, një bllokim të tërësishëm të funksionimit të shtetit nuk ka për të ndodhur në Republikën e Kosovës. Ky rajon mjaft e ka një republikë serbe. Nuk ka nevojë për një të dytë, edhe një që e ka është tepër. Prandaj, modelet që janë paraqitur, paraqesin elemente të pranueshme në suazat e rregullimit tonë kushtetues dhe prej tyre do të përpiqemi të zgjedhim elementet më të mira”, tha Gërvalla.

Pas takimit të dy ministrat kanë qëndruar në Janjevë për të marrë pjesë në shënimin e 720-vjetorit të regjistrimit të parë të diasporës kroate në Evropë. Këtë ditë është shënuar edhe Festa e Shën Nikollës, në të cilën ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi e ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Pas meshës ministrja Gërvalla tha se populli kroat në Kosovë e ai shqiptar në Kroaci janë urë lidhëse për bashkëpunimin mes dy shteteve.

E, qytetarët përcollën urimet, por patën kërkesa edhe për ministrin Radman.

“Krejtve urime festa e Shën Nikollës e për kroatët mirë kish qenë me u kthy”, tha qytetari nga Vitia, Zefë Simoni.

“I kisha thanë sa të mujnë me i ndihmu këtij populli këtu te na dhe kah na se janë në zor shumë. Po ju ndihmojnë, por ndoshta një mesazh që me ju ndihmu pak ma shumë”, tha qytetari nga Vitia, David Gega.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kroacisë është pritur edhe nga kryeministri Albin Kurti.