Arbëri

Gërvalla: Falënderojmë Kroacinë për mbështetjen që i dha Kosovës drejt Këshillit të Evropës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka falënderuar në takim homologun kroat, Gordan Grliq Radman, për përkrahjen e Kroacisë, derisa tha se janë pajtuar që procesi i zgjatur padrejtësisht i vizave, ka përfunduar për qytetarët e Kosovës.

Ajo deklaroi të martën se me homologun kanë biseduar për perspektiven evropiane të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që sipas Gërvallës, ka filluar të marrë formë.

“U pajtuam që është një proces që ka zgjatur padrejtësisht shumë por që më në fund qytetarët do të mund të udhëtojnë pa viza në janar 2024...E falënderova për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës që nga dita e parë për aplikimin në Këshillin e Evropës. Biseduam për perspektivën evropiane të Kosovës për anëtarësimin në BE për aplikimin e që ka filluar të marrë formë. Biseduam gjithashtu edhe për konsultimeve politike që do t’i kemi pas disa javësh. Nga kjo konferencë do të shkojmë në Janjevë ku së bashku me kroatët me qytetarët e Janjevës do të festojmë me ta”, deklaroi ajo.

Gërvalla shtoi në negociatat me Serbinë, ende s’është vendosur asgjë dhe nga modelet e prezantuara, do të zgjidhen më të mirat.

"Konsultimet politike janë organizëm tradicional dhe shtetet flasin për konsultimet bilaterale. Ato nuk kanë te bëjnë me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sa i përket modeleve të asociacionit neve na janë prezantuar nga Lajçak si shembuj në Kosovë. Të gjitha modelet që kemi parë kemi konstatuar që Kushtetuta e Kosovës u jep shumë më tepër të drejta se sa te gjitha modelet që ne kemi parë".

“Unike në Kosovë është prezenca e vazhdueshme e pakicës serbe në kabinetin qeveritar. Prandaj ne kemi trajtuar modelet dhe për neve nuk vjen në shprehje sepse shkelin vijat e Kushtetutës, e për neve këto nuk vijnë ne shprehje, sepse baza e funksionalizimit të shtetit është respektimi i kushtetutshmërisë territoriale”, shtoi ajo.

Sipas ministres së Jashtme, rajoni e ka mjaftueshëm një Republikë Serbe në Bosnjë-Hercegovinë, e edhe ajo “është tepër”.

“Ne jemi në proces të negociatave, asgjë nuk është e pranuar sot, ne kemi dhënë fjalën dhe mbajmë fjalën tonë, presim nga BE-ja që të njëjtat kritere të vlejnë edhe për Serbinë e cila mbetet e befasuar në çdo takim. Presim nga BE-ja që më shumë këmbëngulje të qëndrojnë në kërkesat e tyre”, shtoi Gërvalla.