LAJMET E MBRËMJES

Qindra punëtorë të KEK-ut kërkojnë me protestë rritje të pagave

Me moton “Menaxhment, respekto ligjin”, qindra punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë kërkuar të enjten rritje të pagave, pagesë për rrezikshmërinë dhe për punën në fundjavë. Në protestën e organizuar të enjten ata i kanë bërë thirrje menaxhmentit të KEK-ut që t’ua plotësojë kërkesat e, në të kundërtën, kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime të tjera sindikale

Duke bartur në duar pankarte me mbishkrimet “Duam ngritjen e pagave” e “Menaxhment, respekto ligjin e punës”, me qindra punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë marshuar të enjten deri te zyrat e kësaj ndërmarrjeje në Prishtinë për të shprehur pakënaqësinë për paga të ulëta.
Në protestë ata kanë shprehur kërkesë që menaxhmenti t’ua përmbushë kërkesat për rritje të pagave, pagesë të rrezikshmërisë, si dhe të punës gjatë fundjavave.

Muharrem Gashi, punëtor me përvojë 43-vjeçare në KEK, ka thënë se paga që e merr është tejet e ulët për punën që ai e kryen në këtë korporatë.

“Asnjë mjeshtër, diku privat, nuk ka më lirë se në KEK. (Punëtorët në KEK) punësohen edhe largohen nga puna kur e shohin se çfarë kushtesh janë. Kërkesa jonë është ngritja e pagave, pagesa e rrezikshmërisë dhe që të dyja kërkesat janë kryesore. Ngritja e pagave është e mirë për punëtorët, për vendin, për konsumatorët, për të gjithë”, ka thënë ai gjatë protestës.

Nexhat Llumnica, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në KEK, ka theksuar se kërkesat e punëtorëve për rritje të pagave janë pasojë e ndryshimit të tregut të punës. Ai ka shtuar se shumë prej punëtorëve janë detyruar që të japin dorëheqje shkaku i kushteve jo të mira të punës.

“Kemi kërkuar ngritjen e pagave, sepse nga viti 2018 e deri më tani inflacioni është mbi 30 për qind, kurse pagat janë ngritur vetëm me 70 euro. Kemi kërkuar ngritjen e pagave për arsye se tregu i punës në Kosovë ka ndryshuar. Nuk ka punëtorë në vend, po flas për punëtorë, jo për ata të cilët paguhen prej nesh, që paguhet më lirë se punëtori i KEK-ut. Shumë punëtorë janë detyruar të japin dorëheqje nga puna, si shkak i kushteve jo të mira në punë. Paga më e lartë në KEK, pa e përfshirë stafin menaxhues, pa i përfshirë ata të cilët kanë paga të majme, është 983 euro, ndërsa një vullkanizer në sektorin privat ka pagë 1.200 euro”, ka thënë ai.

E anëtari i Sindikatës së Punëtorëve në KEK, Selatin Sadiku, ka bërë të ditur se në rast se kërkesa për rritje të pagave nuk përmbushet, atëherë do të ndërmerren veprime të tjera sindikale.

“Në këtë rast ua bëjmë me dije edhe menaxhmentit të KEK-ut, edhe Bordit dhe Qeverisë, realizoni kërkesat tona, përndryshe Kryesia e Sindikatës do të marrë një vendim dhe mendoj se kjo është hera fundit që punëtorët tanë vijnë në Prishtinë, kanë për të ardhur këta njerëz atje në minierë”, ka thënë ai.

Aktualisht në KEK janë të punësuar 3 mijë e 500 punëtorë. Paga mesatare e tyre është rreth 1.000 euro.

Për pagat e ulëta dhe për kushtet e rënda të punës punëtorët e KEK-ut patën protestuar edhe vitin e shkuar.