LAJMET E MBRËMJES

Qeveria i rrit shtesat për lehonat e pagat për zyrtarët publikë

Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se rritja e shtesave për lehonat e punësuara dhe ato të papunësuara është reflektim i rritjes që i është bërë pagës minimale. Krahas kësaj, kabineti qeveritar ka miratuar në mbledhjen e së enjtes edhe vendimin për ndarjen e mjeteve, që e mundësojnë rritjen prej 55 eurosh të pagës së zyrtarëve publikë, duke nisur nga muaji korrik

Nga 170 euro, në 325 euro e 90 cent janë rritur shtesa për nënat lehona të papunësuara, me një vendim të miratuar të enjten nga Qeveria në detyrë. 

Në prezantimin e vendimit gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ka thënë se rritja është reflektim i pagës minimale të re. 

“Pra, për të gjitha nënat lehona, që nga ky muaj, shtesa mujore do të rritet në 325.9 euro. Kjo përbën një rritje prej 91.7 për qind, apo gati dyfishim të shtesave. Për gjashtë muaj, shtesa e rritur përkthehet në 1,955.4 euro, dhe kur kësaj ia shtojmë edhe shtesën mujore për fëmijën, që është së paku 20 euro në muaj, apo 120 euro për gjashtë muajt e parë, atëherë efektivisht del se Qeveria mbështet secilën nënë të re me 2,075.4 euro”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se me rritjen e fundit të shtesave, Kosova krahasohet me “shumë shtete të tjera më të mëdha dhe më të forta ekonomikisht”.

Rritje e shtesës është miratuar edhe për nënat lehona të punësuara. 

“Secila lehonë e punësuar, përveç pagesës nga punëdhënësi, do t’i ketë tre muaj pagesë të pushimit të lehonisë nga Qeveria në vlerë prej 319.5 euro në muaj, si dhe në kuadër të skemës së shtesave për lehona – edhe tre muaj të tjerë nga 325.9 euro në muaj. Kur kësaj i shtohen edhe shtesat mujore për fëmijë, rezulton se edhe lehonat e punësuara do të përfitojnë mbështetje mbi 2 mijë euro nga Qeveria, qysh në nëntë muajt e parë pas lindjes, përveç pagesës që marrin nga punëdhënësi, që është 70% e pagës për gjashtë muaj”, ka thënë Kurti.

Kabineti qeveritar ka miratuar në mbledhjen e së enjtes edhe vendimin për ndarjen e mjeteve që e mundëson rritjen prej 55 eurosh të pagës së zyrtarëve publikë, duke nisur nga muaji korriku. Kjo është rritja e dytë, pas asaj që ka hyrë në fuqi në fillim të 2025-tës. 

“Rritja e parë tashmë ka filluar së zbatuari që nga janari i këtij viti. Rritja e dytë do të fillojë së zbatuari nga muaji korrik, siç është e paraparë me Ligjin e Buxhetit. Sot do të marrim vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore shtesë për të gjitha organizatat buxhetore, që të mbulohet kostoja e kësaj rritjeje. Pas përgatitjeve teknike, zbatimi i fazës së dytë të rritjes do të fillojë të aplikohet muajin e ardhshëm dhe kështu, pagat mujore për zyrtarët publikë, për mbi 80 mijë zyrtarë publikë, do të jenë 110 euro më të larta sesa ishin në dhjetor të vitit 2024”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se me këtë rritje, paga mesatare në sektorin publik ka arritur në 856 euro, nga 755 euro sa ka qenë vitin e shkuar.

Krahas rritjes së shtesave për nënat lehona dhe të pagave për zyrtarë publikë, Qeveria e ka miratuar edhe vendimin për hartimin e Planit Hapësinor për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. 

Kurti ka thënë se vendim është pjesë e projekteve në zhvillim për konservimin dhe për restaurimin e kompleksit. 

“Hartimi i dokumenteve të planifikimit hapësinor do ta mundësojë zhvillimin e një koncepti koherent dhe multidisiplinor për organizimin hapësinor dhe urban të kompleksit”, ka theksuar ai.

Miratimin e kabinetit qeveritar e kanë marrë dhe vendimi për shpronësimin e pronave në Gjilan dhe në Podujevë. Në Gjilan, pronat do të shpronësohen pasi që preken nga projekti për ndërtimin e qarkores së jashtme të qytetit dhe kyçja në rrugën nacionale, derisa në Podujevë, për ndërtimin e ndërtesave të banimit të përballueshëm dhe social.

Qeveria e ka miratuar edhe projekt-rregulloren për trajnimin dhe për testimin e detyrueshëm, certifikimin e Inspektorëve si dhe rregulloren për Procedurën e Pranimit në Shërbim Civil.