LAJMET E MBRËMJES

Protestuesit kërkojnë sigurime shëndetësore dhe themelimin e gjykatës së punës

Me pankarta në duar u nisën nga sheshi “Zahir Pajaziti” në kryeqytet drejt objektit të Qeverisë për t’i parashtruar kërkesat që i kanë.

Punëtorët e sektorit privat, në një numër simbolik pjesëmarrësish, kërkuan me anë të protestës së organizuar për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve zbatimin e sigurimit shëndetësor, themelimin e gjykatës së punës, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes kolektive.

“I nderuari zotëri kryeministër i Kosovës, zotëri Albin Kurti, kam një pyetje për ju. Pse në ditën e vikendit, pse në ditën e festës, na shtyve që të dalim të protestojmë...Nuk mbahen 60 mijë kompani private me 23 inspektorë në punë, që në një farë forme vetvetiu shihet se ju i keni lënë në dorën e kompanive private, të cilët deri më tash na mpinë gjakun”, tha Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punwtorwve tw sektorit privat.

Më të zëshëm në kërkesa ishin pjesëmarrësit e protestës së dytë të mbajtur gjatë ditës, nën organizimin e disa organizatave joqeveritare.

Gjatë saj, përfaqësues të Kolektivit për Mendimin dhe Veprimin Feminist, e kualifikuan si racist e diskriminues sistemin ekonomik dhe politik në Kosovë.

“Të jesh grua, person LGBTI+, i ndonjë race tjetër, me nevoja të veçanta, je i papërshtatshëm edhe për t’u konsideruar si punëtor. Kjo, pasi që ky sistem në të cilin ne gjendemi e që është sistemi patriarkal-kapitalist, është sistem i dhunës, i përçarjes, disiplinimit e shtypjes së shumicës në favor të pakicës”, tha një përfaqësuese nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Krahas dy protestave të ndara, nuk pati aktivitete të tjera për ditën e 1 Majit. Vizitorë të paktë kanë frekuentuar parkun e Gërmisë, që tradicionalisht është i mbushur plot për këtë ditë.

E atmosfera e viteve të mëhershme në të i mungoi dikujt.

“Sot të festohet dhe jo të protestohet. Mund të protestohet ditë të tjera. Krahasuar me të kaluarën, e shoh një zymti me pjesëmarrjen e qytetarëve në këtë park të kryeqytetit sa pak persona ka, ndërsa në të kaluarën më kujtohet ishte përplot”, tha qytetari Vesel Veseli.

E për festë, gjatë ditëve të pushimit nga puna deri të martën, qytetarë të shumtë kanë zgjedhur Shqipërinë. Shteti ka hequr nga sot të gjitha kufizimet e deritanishme të COVID-19 për udhëtarët.

Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, sipas të dhënave të siguruara nga policia, mbi 25 mijë kosovarë kanë kaluar pikëkalimin kufitar në Morinë.