Arbëri

Punëtorët e sektorit privat kërkojnë nga Qeveria t’i hapë sytë ndaj kërkesave të tyre

Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (FSSPK) ka organizuar protestë me rastin e 1 Majit – Ditës ndërkombëtare të punëtorëve.

Dhjetëra punëtorë kanë dalë para Qeverisë së Kosovës, me thirrjet që t’iu vlerësohet puna dhe mundi, gjithashtu kanë kërkuar nga Qeveria të nënshkruajnë marrëveshje kolektive.

Ndër kërkesat tjera është edhe që të fillojë sa më parë aplikimi i sigurimit shëndetësor dhe të themelohet gjykata e punës.

Sindikalisti Adem Borovci ka thënë se gjatë gjithë periudhës kanë kërkuar që të respektohen, por kjo nuk është duke ndodhur.

Ai ka thënë se sipas një raporti ndërkombëtar, Kosova qëndron më së keqi sa i përket respektimi të drejtave të punëtorëve.

“Pronarët e kompanive sillen sikur jemi makina amortizuese. Në paga tona ndikoi edhe pandemia. Gjithashtu kemi trefishim te shtrenjtimit të jetesës”, ka thënë ai.

Ndërkaq kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se sot kanë dalë që t’i parashtrojnë kërkesat që i kishin parashtruar edhe para një viti.

Ai ka thënë se sindikata bëri të pamundurën, luftoi për të gjithë, luftoi në Qeveri, por ka theksuar se kjo Qeveri që u premtoi mrekulli, nuk bëri asgjë.

“Kryeministër e kompani private, e dimë se na keni njollosur e baltosur, por po vijnë ditë të mira pasi ju do të keni nevojë për ne. Keni ardhur në një moment që po paguani punëtorë rezervë pasi të gjithë po ikin nga Kosova. Të gjithë që po dalin jashtë e nuk e kanë ndërmend të kthehen. Kryeministër nuk mbahen kompanitë private me 23 inspektorë. E kërkuam trustin, por parlamentarët tonë kanë thënë se ne nuk kemi nevojë, ata nuk e dinë gjendjen tonë”, ka thënë ai.

{gallery}