Me kërkesën që të rikthehen si punonjës të KEK-ut, para objektit të qeverisë kanë protestuar punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut, të cilët punën e kryejnë në kuadër të kompanive private, e ndaj të cilave kanë edhe ankesa. Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar ndaj protestës së sotme, duke thënë se ata nuk kanë kontratë pune.
Punëtorët e sigurimit fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë protestuar sërish para zyrave qendrore të KEK-ut dhe ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Ata kanë kërkuar kthimin si punëtorë të KEK-ut dhe jo të tenderohen vazhdimisht, siç thanë, jashtëligjshëm në sektorin privat.
Si shenjë pakënaqësie, ata hodhën edhe vezë para zyrave të KEK-ut në kryeqytet.
Halil Bala, punëtor i sigurimit në KEK, tha se janë të shfrytëzuar dhe se të drejtat e tyre nuk po respektohen.
“Jemi dalë të protestojmë për të drejtat tona, kemi qenë me KEK, na kanë marrë privat. Me vite prej 2004-s ne punojmë vetëm për kompanitë private, për familjet tona nuk mbetet asgjë. Neve na shfrytëzojnë, festat nuk na paguhen, ndërrimet e treta nuk na paguhen ne jemi të shkelur, me një fjalë jemi shumë të shkelur”, theksoi Bala.
Përfaqësuesi i punëtorëve të sigurimit fizik në KEK, Nexhat Murati, ka kërkuar takim me kryeministrin Kurti, për të gjetur një zgjidhje për ta.
“Unë nuk po e kuptoj as këtë qeveri, s’po e kuptoj se kur thoshte se neve po na bëhet padrejtësi dhe dilte përmes mediave dhe bisedonin dhe jepnin deklarata shumë të mira dhe ndihmëse. Por tash çka është bërë, andaj ne kërkojmë një takim urgjent me kryeministrin e vendit ku do t’ia shpjegojmë gjërat në detaje edhe pse ne besojmë se ai është i informuar shumë mirë, pasi kem më së paku 30 e-maile zyrtare që i kemi dërguar...Oligarkët duhet të pasurohen në krah tonin dhe disa persona në KEK. Prokurimi, zyra ligjore, menaxhmenti i KEK-ut dhe bordi nuk janë askund”, tha Murati.
E kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, i ka mbështetur kërkesat e protestuesve.
“Ky departament padrejtësisht është tenderuar deri më tani. Në kohën kur kjo qeveri ishte në opozitë kanë thënë se me të drejt janë tenderuar paligjshëm dhe ju e keni vendin në KEK. Kemi diskutuar shumë herë kur është paraparë që KEK-u si aset me rëndësi të veçantë të ketë sigurimin e vet dhe jo të jetë me sigurime private”, deklaroi Llumnica.
Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar ndaj protestës së sotme, duke thënë se ata nuk kanë kontratë pune.
KEK-u në reagim ka thënë se protestuesit nuk kanë bazë ligjore që të riorganizohen, e të përfshihen në KEK.
“KEK sh.a. nuk ka asnjë mundësi ligjore për ri-organizimin e këtij shërbimi në kuadër të korporatës. Pavarësisht të gjithave, menaxhmentet e KEK-ut gjithmonë kanë bashkë ndjerë me situatën e krijuar nga shumë vite më herët, me ç’rast duke pasur synim primar sigurinë fizike të objekteve dhe pronës, përkundër kufizimeve të Ligjit të Prokurimit Publik, menaxhmentet gjithmonë kanë inkurajuar të gjithë Operatorë Ekonomikë të suksesshëm që janë kontraktuar për sigurim fizik, që asnjë punëtor i ish-njësisë, Mbrojtja dhe Siguria të mos mbetet pa punë. Përtej kësaj ka caktuar pagën minimale (mbi kushtet e tregut), sigurimin shëndetësor dhe shujtën”, thuhet në reagim.
Punëtorët e Sigurimit Fizik të KEK-ut, patën protestuar edhe në fillim të gushtit, me kërkesën e njëjtë dhe patën paralajmëruar radikalizim të protestave.
Që nga viti 2004, Njësia, Mbrojtja dhe Siguria, nuk janë pjesë e KEK-ut, por kontraktohen nga kompani private të sigurimit.