LAJMET E MBRËMJES

Punëtorët e sigurimit fizik në KEK i kërkojnë Qeverisë e Bordit që t’i përfshijnë në kuadër të shtetit

Punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut mbajtën një protestë para objektit të Qeverisë. Nëpërmjet saj, ata shprehën kërkesën për t’u përfshirë në kupolën e shtetit. E në rast të mospërmbushjes së kërkesave, e paralajmëruan edhe radikalizimin e protestave

Punëtorë të sigurimit fizik të Korporatës Energjetike protestuan të mërkurën nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek objekti i Qeverisë për ta kërkuar kthimin e këtij sektori në kuadrin e KEK-ut.

Ata, nëpërmjet protestës, shprehën pakënaqësi për diskriminimin që po u bëhet.

Nexhat Murati, kryetar i Sindikatës “Mbrojtja dhe Siguria”, e akuzoi Qeverinë Kurti për mospërmbushjen e zotimeve në raport me punëtorët e KEK-ut.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti të merret seriozisht, sepse ne kemi disa kërkesa me shkrim që iu kemi bërë me emaila zyrtar edhe Bordit të KEK-ut, edhe drejtorëve të KEK-ut, gjithsej 30 copë, kërkesa nga ne. E nuk e di se si po na konsideron ai neve në çfarë mënyre, përse nuk na takon neve një herë”, tha Murati.


E kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, theksoi se punëtorët e sigurimit fizik janë edhe të kërcënuar që të mos protestojnë, si dhe të diskriminuar, në raport me punëtorët e tjerë të KEK-ut. Vërejtje shprehu edhe rreth tenderimit të mëhershëm për departamentin.

“Në vitin 2007 është tenderuar paligjshëm kjo kompani, ky departament, sepse huazimi në bazë të ligjit të punës duhet t’i kthehet dhe të vijë në vendin e vend. Kjo qeveri që është tani, kur ishte në opozitë, ishte njëzëri me neve dhe sigurisht thoshte që keni të drejtë, këta tenderë në vazhdimësi po bëhen të paligjshëm, të jashtëligjshëm. Nuk na kanë dëgjuar asnjëherë deri më sot. Protesta të këtij departamenti ka pasur në vazhdimësi, nuk është dëgjuar zëri dhe nuk është respektuar ligji, janë tenderuar pra. Por, nuk mund të themi që sot jemi të drejtë. Prandaj, qeveri e nderuar edhe sot tenderohen këta jashtëligjshëm”, theksoi Llumnica.

Në protestë, punëtorët e sigurimit dhe sindikalistët e tjerë paralajmëruan radikalizimin e masave protestuese edhe përbrenda KEK-ut, me qëllim të jetësimit të kërkesave.