LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria mungon në seancën e Apelit për vrasjen e Gjyljeta Ukellës

Seanca e parë para kolegjit të Apelit për rastin e vrasjes së Gjyljeta Ukellës nga bashkëshorti i saj është mbajtur të enjten në Prishtinë. Në seancën ku ka munguar prokuroria, avokatja e familjes së viktimës ka kërkuar të mbetet në fuqi dënimi i përjetshëm për Edmond Lajçin, sipas aktgjykimit të Themelores

Mungesën e përfaqësuesit të Prokurorisë në seancën e parë të Apelit për rastin e vrasjes së Gjyljeta Ukellës e ka kritikuar avokatja e familjes së viktimës, Fehmie Bytyqi-Gashi.

Seanca e parë para kolegjit të Apelit është mbajtur të enjten në Prishtinë.

I akuzuar për këtë vrasje është bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi, i cili në shkallën e parë është dënuar me burgim të përjetshëm.

“Ju lus, edhe unë si pjesë e sistemit të drejtësisë, që t’i bëni një njoftim Prokurorisë së Apelit, sepse kjo tavolinë në këto raste dhe në krejt rastet që i kemi në Apel është mjaft vendimtare për vendimin, ata po mungojnë, aq më tepër sot, në një rast të tillë kaq të rëndë”, ka thënë avokatja Bytyqi-Gashi.

Pas kësaj vërejtjeje avokatja Bytyqi-Gashi mbrojti aktgjykimin e shpallur në dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata Themelore në Pejë që i dha Lajçit burgim të përjetshëm. 

“Ata si ekip mjekësor e kanë dhënë mendimin përfundimtar për këtë situatë dhe ndër të tjera e kanë shkruar me të madhe se vetëdija në momentin kur është bërë vrasja ka qenë e ruajtur. Konsideroj që ka ekzistuar planifikimi, lidhur me pretendimet ankimore se ka qenë revolja e mbushur edhe me fishekë të tjerë, por e ka shkrepur një, mjafton që është arritur pasoja, sepse plumbin e ka shkrepur, po më vjen keq nga vajza që po ia kujtoj, në pjesën e ballit”, ka thënë ajo.

E avokati i të akuzuarit Lajçi, Naim Alaj, ka thënë se në aktgjykimin e shkallës së parë janë injoruar rrethanat lehtësuese. Sipas tij, i pandehuri ka çrregullim të personalitetit, pastaj në kohën e kryerjes së veprës ishte përdorues i substancave narkotike, është dorëzuar vetë në polici dhe e ka pranuar fajin.

“Ka precedent gjyqësor në Kosovë për raste dhe rrethana të ngjashme ku dënimet kanë qenë mes 18-25 vjet burg, duke u vlerësuar rrethanat lehtësuese. Dënimi me burgim të përjetshëm për të mbrojturin tim përfaqëson trajtim joproporcional dhe diskriminues”, ka thënë Alaj. 

Në seancë morën pjesë edhe familjarë të viktimës, përfshirë vajzën e Gjyljeta Ukellës.

E Shpat Ukella, djali i axhës së viktimës, pas përfundimit të seancës, në emër të familjes kërkoi që të mbetet dënimi i dhënë nga Themelorja.

“Ju e patë edhe gjatë seancës që Paulina ishte në gjendje më të rënduar emocionale, këtë duhet ta ketë parasysh edhe Apeli. Kur një prind nuk e shikon as fëmijën e vet, çfarë prindi është ai dhe çka duhet të bëhet me të”, ka thënë Ukella.

Gjyljeta Ukella është vrarë më 16 prill 2024 në Pejë.