Gjykata Supreme ka nisur të enjten shqyrtimin e ankesës së mbrojtjes së të pandehurit Edmond Lajçi, i cili në shkallë të parë dhe të dytë është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella. Avokatja e familjes Ukella, kërkoi që të vërtetohet aktgjykimi me burgim të përjetshëm, e vetë i akuzuari kërkoi falje. Në seancë, mungoi prokuroria, gjë që u kritikua
Familjarë të së ndjerës Gjyljeta Ukella u përballën të enjten në Gjykatën Supreme me Edmond Lajçin, i cili në shkallë të parë dhe të dytë u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes.
Familjarë të viktimës e kundërshtuan deklaratën shfajësuese të të pandehurit dhe të avokatit të tij mbrojtës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFlorim Alaj, që përfaqëson të pandehurin Lajçi, kërkoi nga Supremja që rasti të kthehet në rigjykim ose të ndryshohet vendimi i shkallës së parë dhe të dytë.
“Mbrojtja nuk e konteston këtë tragjedi që ka ndodhur, por as faktin se i pandehuri ka marrë përgjegjësi penale. Ai që nga fillimi e ka pranuar fajësinë, mirëpo ajo që kontestohet është mënyra se si Gjykata ka ardhur deri te dënimi më i rëndë dhe më i mundshëm, me burgim të përjetshëm, pa arsyetim të mjaftueshëm, pa vlerësim të drejtë të provave relevante dhe pa zbatim të drejtë të ligjit penal”, ka thënë avokati Alaj. “Gjykatës i propozoj që ankesa e mbrojtjes të aprovohet dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit dhe Themelore të anulohet ose të ndryshojë vendimin”.
E i pandehuri Lajçi kërkoi falje për krimin. Tha se ishte në ndikim të barnave kur e kreu atë.
“I kisha kërku falje të sinqertë familjes së tani së ndjerës, meqë tani nuk gëzoj shëndet të plotë. Kam qenë në ndikim të barnave, nuk kam qenë vetvetja. Ju kërkoj falje juve, krejtve prezentë këtu, fëmijëve”, ka thënë Lajçi.
Por, qëndrim të kundërt shprehu avokatja Fehmije Bytyqi-Gashi, e cila e përfaqëson palën e dëmtuar. Ajo dha kritika për mungesën e përfaqësuesit të Prokurorisë në seancë.
“Një vepër të madhe për Prokurorinë e Shtetit me një vepër penale të tillë, mungojnë sot në këtë seancë. I akuzuari përveç që ia ka marrë jetën përfundimisht të ndjerës, i ka lënë edhe fëmijët pa përkujdesje prindërore. Pasojat janë shumë të mëdha për këta fëmijë, njëkohësisht babin e kanë në burg. Kam besim në analizën e juaj dhe propozoj që të vërtetohet ky aktgjykim”, ka thënë avokatja Bytyqi-Gashi.
Vërtetim të dënimit me burgim të përjetshëm për Lajçin, kërkoi edhe Shpat Ukella, vëllai i së ndjerës.
“Pajtohem plotësisht me avokaten. Qysh e paska bo avokati i palës ankesën, ai koka i pafajshëm krejt. Çdo send e paska bo kështu, e paska bo kështu. Ne çdo ditë si familje përballemi me vdekjen e Gjyljetës, çdo ditë e vuajmë pasojën e asaj çka ka ndodh”, ka thënë ai.
Sipas aktakuzës, më 16 prill 2024, në banesën e tij, i pandehuri Lajçi me dashje dhe me pistoletë e ka privuar nga jeta bashkëshorten.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri ka pasur probleme të vazhdueshme me viktimën Gjyljeta Ukella, e ndaj saj më herët ka ushtruar edhe dhunë psikike.
Në ditën kritike, në aktakuzë thuhet se i pandehuri i ka kërkuar vajzës së tij të shkojë në dyqan të blejë diçka e më pas kur ka ngelur vetëm me bashkëshorten e ka qëlluar atë në dhomën e ndenjës.