LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria kërkon dënim meritor për të akuzuarin për krime lufte në Dubravë

Prokurori special Ilir Morina ka kërkuar dënim meritor për Gavrillo Millosavleviqin, që akuzohet për krimet në burgun e Dubravës. Në paraqitjen e fjalës përfundimtare, prokurori Morina ka thënë se është vërtetuar që i akuzuari ka marrë pjesë në vrasjen e 109 të burgosurve në Dubravë dhe në plagosjen e 108 të tjerëve, në maj të vitit 1999

“Gjatë këtij gjykimi u dëgjua zëri i atyre që nuk mund të flasin, përmes fjalëve të atyre që mbijetuan”.

Me këtë fjali e ka nisur fjalën përfundimtare, prokurori Ilir Morina në gjykimin ndaj Gavrillo Millosavleviqit, i akuzuar për krime lufte në masakrën e Dubravës.

Seanca është mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Morina ka theksuar se gjatë procesit gjyqësor është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë, e që kërkon dënim meritor për të akuzuarin Millosavleviq. 

“Vlerësojmë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor u vërtetua përtej dyshimit të bazuar mirë, se vepra penale, objekti i kësaj aktakuze, është kryer dhe se i pandehuri këtu, subjekt i kësaj aktakuze, është kryerësi i saj”, ka thënë prokurori Morina.

Prokurori ka përmendur edhe rastet dhe deklaratat e dëshmitarëve që e kanë identifikuar të akuzuarin gjatë gjykimit.

E këtë e ka kundërshtuar Nebojsha Vllajiq, avokati i të akuzuarit.

“Ai nuk e ka bërë atë për të cilën është akuzuar dhe për këtë gjë, nuk ka asnjë provë”, ka thënë Vllajiq.

Edhe i akuzuari Millosavleviq ka thënë se nuk ka lidhje me veprat për të cilat akuzohet.

“Mua më vjen keq për ato që kanë ndodhur në Dubravë, por nuk kam lidhje me këtë gjë dhe nuk kam qenë fizikisht atje. E kam thënë këtë edhe herën e kaluar, kur kam dhënë deklaratë”, ka deklaruar Millosavleviq.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale e ngarkon Millosavleviqin për pjesëmarrje në vrasjen e 109 të burgosurve në Dubravë dhe në plagosjen e 108 të tjerëve, më 22 maj 1999.

Nga 19 deri më 24 maj të 1999-s, në kohën kur rreth një mijë shqiptarë janë mbajtur në Burgun e Dubravës, forcat serbe kanë kryer njërën prej masakrave më të mëdha në Kosovë, duke vrarë 117 të burgosur shqiptarë dhe duke i lënë të plagosur rreth 200 të tjerë.