Për masakrën ku u vranë mbi 100 burra shqiptarë ndodhet vetëm një i akuzuar para gjykatës. Në përvjetorin e nisjes së kësaj masakre, Prokuroria Speciale ka treguar se është ende në hetim të rastit me 88 të dyshuar
Të paktën 109 të burgosur shqiptarë u vranë nga forcat serbe në masakrën e Dubravës që nisi para 26 vjetësh e përfundoi më 24 maj.
E vetëm ish-gardiani, Gavrillo Millosavleviq, është në bankën e të akuzuarit para Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë.
I mbijetuari i kësaj masakre, Bislim Zogaj, pohon se ende kujtimet janë të rënda.
Zogaj thotë se nuk mund ta harrojë kurrë momentin kur u ndihmonte të plagosurve e as tmerrin që e pa me sy.
“Kam përjetuar nga njerëz të burgosur që i kanë pasur organet që i kanë dalë nga shpina për shkak të plagëve deri te rastet ku trutë e njeriut më kanë mbetur në duart e mia, kur t’ia shtojmë kësaj që për një kohë të shkurtër ka pasur numër të madh të të plagosurve dhe kur i dëgjon britmat e të plagosurve për t’u dhënë ndihmë është prej situatave më të vështira që mund ta përjetojë njeriu”, ka thënë Zogaj.
Ai thekson se asnjë person nuk është dënuar për masakrën që e kryen gardianët, civilët e armatosur dhe pjesëtarë të tjerë të forcave serbe.
“Emocionet definitivisht janë shumë të vështira sepse gërshetohen prej asaj të krenarisë që kemi bërë diçka, te dhimbja që kanë vdekur shumë shokë, por përveç kësaj dhimbjes i shtohet ajo që ende nuk është dënuar askush për gjithë atë masakër dhe e kam potencuar disa herë se kjo masakër dallon shumë prej masakrave të tjera, derisa për masakrat e tjera që kanë ndodhur anekënd Kosovës mund të arsyetohet se nuk dihet se kush i ka kryer, apo të paktën mund të arsyetohet se kanë qenë të rrezikuar nga dikush, nga shqiptarët, realisht në Dubravë nuk ka qenë askush i rrezikuar nga ne, sepse ne kemi qenë me duar të lidhura”, ka shtuar Zogaj.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se gjykimi i të akuzuarit Gavrillo Millosavleviq, që akuzohet edhe për keqtrajtim e edhe për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës është drejt fundit.
Arbnora Luta, zëdhënëse e PSRK-së, ka shkruar në Facebook se hetimi është aktiv edhe për mbi 80 të pandehur të dyshuar për përfshirje në këtë masakër.
“Ndërsa në rastin tjetër, ndaj të gjithë të pandehurve, jemi në përfundim të hetimeve. Në këtë fazë kemi arritur t’i identifikojmë rreth 88 të pandehur dhe të intervistojmë mbi 400 dëshmitarë. Deri më tani ka qenë e pamundur të ngrihet një aktakuzë për të gjithë të dyshuarit, pasi Kodi i mëparshëm i Procedurës Penale nuk e ka mundësuar gjykimin në mungesë. Ndërsa gjykimi ndaj Milosavleviqit, i cili ndodhet nën masën e paraburgimit, pritet të përfundojë brenda këtij muaji”, ka shkruar Luta.
Pos masakrës të burgosurit e gjallë u detyruan t’i ngarkonin viktimat në kamionë.