Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka konfirmuar prishjen e koalicionit qeverisës në nivelin lokal me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Peci ka thënë se kërkesat e LDK-së nuk kanë qenë në proporcion me fuqinë politike që përfaqëson ky subjekt politik. E në LDK akuzuan VV-në për mosrespektim të marrëveshjes
Mospajtimet për ndarje të pushtetit lokal kanë çuar në prishjen e koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë të Jugut.
Kryetari i kësaj komune, Faton Peci, ka akuzuar LDK-në se me 3 për qind të votave në këtë qytet ka synuar drejtimin e pothuajse të gjitha dikastereve.
“Nuk mundesh me 3% me pretendu me i marrë edhe përgjegjësi në ekzekutiv, edhe kryesuesin, edhe drejtorët, e të kesh kërkesë edhe për nënkryetar edhe për katër ndërmarrje. Kështu që mendoj që njëherë e mirë ne si politikë duhet të edukohemi që edhe kërkesat t’i kemi në proporcion me fuqinë politike që e përfaqësojmë”, ka deklaruar Peci.
Largimin nga koalicioni me VV-në në Mitrovicë të Jugut, gjatë ditës së mërkurë e konfirmuan edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Sipas njoftimit, vendimi u mor për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje e shpërfilljes së propozimeve nga LDK-ja.
“Emërimi i drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i realizuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim nga kryetari Peci, është në kundërshtim të plotë me dakordimet paraprake, si dhe me propozimet e miratuara nga organet e LDK-së në Mitrovicë. Për këtë arsye, sqarojmë se ky emërim nuk e përfaqëson LDK-në dhe as Degën e saj në Mitrovicë. Ky vendim është obligativ për të gjithë anëtarët e LDK-së në Mitrovicë, përfshirë edhe delegatët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës”, thuhet në njoftim.
Peci është zgjedhur kryetar i Mitrovicës së Jugut në nëntor të vitit të shkuar, pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve fitoi përballë kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri.