Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, ambasadorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, është takuar me presidenten Vjosa Osmani. Pas këtij takimi, ajo ka inkurajuar Kosovën e Serbinë për intensifikimin e përpjekjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve. Tha se në këtë shteg përfshihet zbatimi i marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që t’i intensifikojnë përpjekjet për përshpejtimin e rrugës drejt normalizimit të raporteve.
Ajo, pas takimit të mbajtur të shtunën në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani, ka theksuar se rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve e përfshin zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ndërkaq, e ka shprehur mbështetjen e fuqishme amerikane për dialogun, të cilin e kualifikoi si rrugën e duhur që të dyja shtetet duhet ta ndjekin.
“Në takimet me kryeministrin dhe presidenten Osmani e nënvizova mbështetjen e fuqishme amerikane për normalizim dhe e ndamë inkurajimin që Kosova e Serbia të lëvizin sa më shpejt drejt këtij synim, shkaku i gjithë asaj që normalizimi mund të sigurojë për t’i sjellë sërish aq shumë shpërblime popullit të këtij vendi të shkëlqyeshëm. E kjo e përfshin zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka thënë Power.
E presidentja Osmani, përderisa nuk e komentoi këtë qëndrim, ka theksuar se me gjithë tendencat destabilizuese, Kosova është burim stabiliteti në situata kur kërkohet të krijohen tensione e konflikte.
“Republika e Kosovës është një dritë shprese dhe burim stabiliteti në një kohë kur orekset për destabilitet, për tension e konflikt janë gjithnjë në rritje në kontinentin tonë. Ne vazhdojmë përpjekjet tona për promovim të qeverisjes së mirë, efektive e gjithëpërfshirëse dhe avancim të vazhdueshëm të demokracisë, pavarësisht sfidave dhe tendencave destabilizuese nga autokratët dhe satelitët e tyre”, ka thënë presidentja Osmani.
Power ka qëndruar në Kosovë për dy ditë, me ç’rast ka pasur takim edhe me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin gjithashtu ka biseduar për dialogun me Serbinë.
Pas takimit me Kurtin të premten, ajo ka shprehur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se qëndrimi i Washingtonit ka qenë përherë që ky proces të rezultojë me njohje të ndërsjellë.