Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është burim stabiliteti në situata kur kërkohet të krijohet tension e konflikt. Ajo ka theksuar se pavarësisht tendencave destabilizuese, Kosova do të vazhdojë përpara.
“Republika e Kosovës është një dritë shprese dhe burim stabiliteti në një kohë kur orekset për destabilitet, për tension e konflikt janë gjithnjë në rritje në kontinentin tonë. Ne vazhdojmë përpjekjet tona për promovim të qeverisjes së mirë, efektive e gjithëpërfshirëse, dhe avancim të vazhdueshëm të demokracisë pavarësisht sfidave dhe tendencave destabilizuese nga autokratët dhe satelitët e tyre”, ka thënë ajo pas takimit me administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power.
Osmani ka shtuar se Kosova ka kapërcyer sfida e pengesa të shumta në luftën drejt lirisë, ndërsa ka theksuar se kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.
Duke iu referuar vizitës së fundit të administratores Power në Kosovë 24 vjet më parë, Osmani ka thënë se Kosova ka ndryshuar thellësisht.
“Kanë kaluar më shumë se 24 vjet nga vizita juaj e fundit në Kosovë dhe Kosova ka ndryshuar shumë që atëherë. Kosova të cilën ju e patë atëherë të dërrmuar nga lufta, tashmë është një republikë e pavarur dhe sovrane që shikon drejt së ardhmes me vullnet dhe vendosmëri”.
Power: Themelimi i Asociacionit ndihmon në normalizimin e raporteve
Administratorja e USAID-it, Samantha Power, ka thënë se themelimi i Asociacionit do t’i ndihmojë procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ajo ka theksuar se Kosova është për normalizimin e raporteve, duke inkurajuar përshpejtimin e procesit i cili, siç ka deklaruar, do të sjell shumë përfitime për të dyja vendet.
“Biseduam për përparimin në normalizimin e raporteve me Serbinë, kompleksiteti i këtij dialogu të gjithë e kanë parasysh. Kam dëgjuar vazhdimisht se kosovarët besojnë se kjo është rruga e duhur që duhet të vijojë vendi i tyre. Në takimet me kryeministrin dhe Osmanin kam theksuar mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për normalizim dhe kam inkurajuar që Kosova dhe Serbia të intensifikojnë përpjekjet që ta shpejtojnë rrugën drejt normalizimit. Themelimi i Asociacionit do t’i ndihmojë normalizimit të raporteve dhe zhvillimit ekonomik dhe biznesit”, ka thënë Power.