Pas Fushë-Kosovës, edhe Podujeva ka shpallur gjendje emergjente shkaku i mosgrumbullimit të mbeturinave. Komuna e Podujevës ka fajësuar kompaninë “Pastrimi”, sidomos bazën e saj në Prishtinë. E nga ndërmarrja janë arsyetuar se problemi është te mosrritja e faturave për qytetarët e Podujevës. Në Prishtinë, kjo ka ndodhur, qytetarët paguajnë më shumë, por bërlloku ka mbetur
Egzona Mema
Komuna e Podujevës ka shpallur gjendje emergjente të mërkurën, pasi është mbuluar nga bërlloku.
Kryetari Shpejtim Bulliqi, i cili është edhe kryesues i Shtabit Emergjent për Mbrojtje e Shpëtim, fajësoi kompaninë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” për keqmenaxhim.
Sipas Bulliqit, Komuna ia ka mundësuar kompanisë që të operojë vetëm në qytet, pasi shërbimin në fshatra ia ka dhënë një kompanie private, por sipas tij, edhe me këtë ka dështuar.
“Tash po del që ka probleme për të ofruar këtë shërbim edhe në qytet. Ka raste që operon me një kamion, e ka ditë që nuk ofron shërbim fare. Për shkak të kësaj gjendjeje që është krijuar, ku tash i kemi edhe mërgimtarët këtu dhe vëllimi i mbeturinave është rritur dhe duke pasur parasysh shëndetin e qytetarëve e kam marrë një rekomandim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike që të shpallim gjendjen emergjente”, ka bërë të ditur Bulliqi.
Edhe
“Pastrimi” i reagon Komunës së Podujevës: Tarifat s’kanë ndryshuar për gati dy dekada, operojmë me humbje
Bulliqi ka thënë se në vazhdimësi e ka ndihmuar “Pastrimin” me subvencione, por sipas tij, problemi është në qendër – në Prishtinë.
“Vullneti ynë është që ta ndihmojmë këtë ndërmarrje, por po shihet që ka keqmenaxhim nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje në qendër. Për shkak të kësaj gjendjeje të rënduar, ne duhet të gjejmë një zgjidhje të shpejtë për mbledhjen e mbeturinave në qytet”, është shprehur kryetari i Podujevës.
Vendimi për shpalljen e gjendjes emergjente do të jetë në fuqi deri më 5 nëntor.
E nga KRM “Pastrimi” i kanë kundërshtuar këto akuza. Kanë thënë se problemi është te faturat që nuk po u rriten qytetarëve.
“KRM ‘Pastrimi’ prej vjetësh operon me bilanc negativ financiar, sepse tarifa për grumbullimin e mbeturinave në Komunën e Podujevës vazhdon të jetë e pandryshuar që nga viti 2008, edhe pas shumë zotimeve të kryetarit dhe të komunës gjatë këtyre 3 vjetëve se do të bëhet ndryshimi i tarifës pas këtij apo atij cikli zgjedhor. Përkundër rritjes enorme të kostove të operimit, karburanteve, pjesëve rezervë, mirëmbajtjes, pagave dhe të gjitha shpenzimeve të tjera, në Podujevë tarifa vazhdon të jetë vetëm 4.70 euro me TVSH-në, ndër komunat e pakta në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e kompanisë rajonale “Pastrimi”.
E në Prishtinë faturat janë rritur, por mbeturinat vazhdojnë të jenë në çdo lagje.
Edhe
Podujeva shpall gjendje emergjente nga mbeturinat
Për problemin në kryeqytet, ndërmarrja “Pastrimi” është ankuar se është rritur volumi dhe se kamionët janë prishur nga puna e madhe.
“Pastrimi” operon edhe në disa komuna të tjera përreth Prishtinës, ndërkohë që gjendjen emergjente e ka shpallur edhe Fushë-Kosova më 13 qershor.