Përfaqësues të Partisë Demokratike akuzuan Qeverinë në detyrë se i ka sjellë regres Kosovës në rrugën për t’u anëtarësuar në BE. Përveç kësaj, Qeverisë i është faturuar edhe përgjegjësia për mospërfshirjen e Kosovës në agjendën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Partia Demokratike e Kosovës ka bërë përgjegjëse Qeverinë në detyrë për ngecje në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Deputetja e kësaj partie, Ariana Musliu-Shoshi, tha në një konferencë për media se rruga evropiane e Kosovës jo vetëm që ka stagnuar, por ka pësuar edhe regres.
“Vetëm dy ditë më parë secili nga ne me shqetësim të madh pamë se Kosova humbi edhe një tjetër rast historik për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Një mundësi për më shumë se që një dekadë që është punuar nga qeveritë e mëhershme me një përkushtim të madh, sepse e dimë që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është hapi kryesor drejt integrimit evropian, forcon pozitën ndërkombëtare të shtetit tonë dhe ofron garanci për të drejtat e qytetarëve tanë”, ka thënë Musliu-Shoshi.
Kjo deputete theksoi se humbja e mundësisë për anëtarësim në Këshillin e Evropës është rezultat i drejtpërdrejtë i qeveritarëve në detyrë, për të cilët tha se i kanë marrë peng institucionet e Kosovës.
Deputetja Musliu-Shoshi akuzoi qeverinë në detyrë edhe për masat ndëshkuese që Kosovës ende nuk ia ka hequr Bashkimi Evropian. Ajo tha se përpos kostos financiare, masat kanë ndikim negativ edhe në imazhin e shtetit.
“Po thellohet izolimi ndërkombëtar dhe po ndalet procesi i integrimit dhe i njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe çka është më e dëmshme është shkatërruar imazhi i Kosovës si faktor sigurie dhe stabiliteti në rajon”, është shprehur ajo.
Sipas deputetes së PDK-së, shtetit i duhet qeveri që punon për interesa shtetërore dhe që e rikthen besimin e faktorëve ndërkombëtarë.
Kosova është pa institucione të reja, ndonëse zgjedhjet janë mbajtur më 9 shkurt. Prej më shumë se një muaji ka nisur seanca konstituive e Kuvendit, por për shkak të qëndrimeve të betonuara që mbajnë taborët politikë, ajo ende nuk është përmbyllur, pa të cilin veprim nuk nis të rrjedhë afati për formimin e qeverisë së re.