LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja kritikon krerët e shtetit për heshtje në rastin e Berishajt, paralajmëron veprime

“As një deklaratë, as një njoftim, as një fjalë në lidhje me këtë skandal rajonal të përfaqësuesit më të lartë të Kosovës në Kroaci. Shumë pyetje, të cilat i kemi ngritur, kanë mbetur pa përgjigje, e ambasadori Berishaj vazhdon të jetë në detyrë, sikur mos të kishte ndodhur asgjë”, ka thënë nënkryetarja e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat në dispozicion rreth asaj që e ka kualifikuar si mosveprim i krerëve të shtetit lidhur me rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj

“Heshtje shurdhuese” konsideron se e ka kapluar vendin tash e më shumë se një muaj që nga ngritja e dyshimeve ndaj Berishajt, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

“As një deklaratë, as një njoftim, as një fjalë në lidhje me këtë skandal rajonal të përfaqësuesit më të lartë të Kosovës në Kroaci. Shumë pyetje, të cilat i kemi ngritur, kanë mbetur pa përgjigje, e ambasadori Berishaj vazhdon të jetë në detyrë, sikur mos të kishte ndodhur asgjë”, ka thënë ajo.

Në një konferencë për media, nënkryetarja Çitaku ka dhënë detaje të pyetjeve që i ka ngritur partia e saj. Ka thënë se ato lidhen me pasurinë e ambasadorit Berishaj, nënshtetësinë e tij, e veprimet e institucioneve.

“Ne kërkojmë të dimë se si i ishte dhënë shtetësia ambasadorit Berishaj me urgjencë të jashtëzakonshme, a ka ndërmarrë marrë ndonjë veprim Agjencioni kosovar Kundër Korrupsionit, Prokuroria e Kosovës a ka iniciuar masa për deklarimin e rrejshëm të pasurisë nga ambasadori Berishaj, a ka treguar diku ambasadori Berishaj se ku kanë shkuar 600 mijë euro, të cilat i ka tërhequr nëpërmjet biznesit të tij të padeklaruar. Si i është dhënë ambasadorit Berishaj certifikata e sigurisë nga Agjencioni Kosovar i Inteligjencës”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së.

“Heshtja dhe mosveprimi politik institucional nga krerët e shtetit të Kosovës është marrje në mbrojtje. Presidentja edhe kryeministri nuk janë as prokurorë, e as gjyqtarë. Ata duhet të ndërmarrin hapa politikë e institucionalë, duke e kthyer z. Berishaj nga detyra menjëherë, duke u hapur rrugë institucioneve të drejtësisë ta thonë fjalën e tyre”.

Sipas saj, “fshehja dhe mbrojtja e këtij skandali nga zyrtarët tanë më të lartë shtetërorë do ta minojë rrugën drejt integrimit evropian”.

“Ne nuk do të lejojmë që kjo aferë, ky skandal, të kalojë në heshtje. Ne do t’i përdorim të gjithë mekanizmat institucionale dhe parlamentare për të zbardhur të vërtetën dhe për të sjellë drejtësi në vend”, ka paralajmëruar ajo.

Emri i ambasadorit Martin Berishaj është përmendur si i implikuar në një aferë të pastrimit të rreth 600 mijë eurove nëpërmjet kompanisë së tij, të raportuar nga një medium slloven. Ai dyshohet se i ka transferuar paratë e gatshme nga një llogari bankare në Mal të Zi, në xhirollogaritë e politikanit slloven, Robert Golob.

Sipas Planet TV, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te kompania e ambasadorit kosovar, MB Consulting.

Në anën tjetër, autoritetet në Mal të Zi kanë bllokuar më 9 maj xhirollogaritë bankare të kompanisë “MB Consulting”, që është në pronësi të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kanë raportuar mediat malaziase. Bllokimi i xhirollogarive të kompanisë raportohet se ka ndodhur shkaku i një borxhi prej 31 mijë eurosh.

Ambasadori Martin Berishaj ndërkaq ka mohuar akuzat ndaj tij, derisa krerët e institucioneve në Kosovë janë deklaruar se i besojnë të dërguarit të tyre në Kroaci.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë javë më parë se nuk mund të shkarkojnë një ambasador mbi raportimet e një mediumi.

“Ambasadori nuk pezullohet apo shkarkohet në bazë të informacionit të një mediumi. Prokuroria e Malit të Zi tha se ka pasur hetime dhe ka rezultuar që s’ka asnjë vepër penale që mund ta ketë kryer ambasadori Berishaj. Ky është pozicioni ynë deri tani. Në mungesë të një indikacioni të vetëm kundër tij, ai gëzon besimin tonë dhe vazhdon punën”, ka thënë Gërvalla në një konferencë për media në fillim të muajit maj.

Detyrën e ambasadorit në Kroaci, Martin Berishaj e ka marrë në shtator të vitit të kaluar.