Arbëri

PDK: Fshehja e skandalit të Berishajt, minon rrugën e Kosovës në integrimin evropian

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se si parti nuk do të lejojnë që skandali dhe afera, siç i ka quajtur ajo, të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, të harrohen.

Në një konferencë për media, të martën, ajo ka thënë se për më shumë se një muaj nuk ka asnjë fjalë e asnjë deklarim për këtë që ajo e quan “skandal rajonal nga krerët shtetërorë”.

Çitaku ka thënë se fshehja dhe mbrojtja e këtij skandali do ta minojë rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

Sipas saj, Berishaj vazhdon të jetë në detyrë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

“Ne kërkojmë të dimë si i është dhënë shtetësia ambasadorit me urgjencë të jashtëzakonshme? A ka marrë AKI-ja ndonjë veprim? A ka iniciuar Prokuroria rast për deklarim të rrejshëm të pasurisë? Si i është dhënë ambasadorit certifikata e sigurisë nga AKI-ja”, ka pyetur ajo.

Sipas saj, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti nuk janë as prokurorë e as gjyqtarë dhe duhet të marrin hapa politikë dhe institucionalë që ta kthejnë Berishajn nga detyra menjëherë duke u hapur rrugë institucioneve të drejtësisë ta thonë fjalën e tyre.

Ajo ka thënë se PDK-ja nuk do të lejojë që kjo aferë të harrohet dhe të kalojë në heshtje.

Emri i Berishajt është përfshirë në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Slloveni. Emri i tij është krahas kryetarit të partisë Lëvizja për Liri në Slloveni, Robert Golob, i cili të dielën i ka fituar zgjedhjet.

Sipas Planet TV, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te kompania e ambasadorit kosovar MB Consulting.

Vetë Berishaj i ka mohuar këto akuza dhe ka paralajmëruar padi ndaj mediumit slloven.

Mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro, të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Raportimi për përfshirje të Berishajt në shpëlarje të parave ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.

Autoritetet në Mal të Zi kanë bllokuar më 9 maj xhirollogaritë bankare të kompanisë “MB Consulting”, që është në pronësi të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kanë raportuar mediat malaziase. Bllokimi i xhirollogarive të kompanisë raportohet se ka ndodhur shkaku i një borxhi prej 31 mijë eurosh.