Procedura në të cilën u miratuan 15 ligje, në mbledhjen e fundit të Kuvendit, është kontestuar në Kushtetuese nga Partia Demokratike, kurse përmbajtja i është kontestuar edhe Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Në Vetëvendosje thanë se PDK-ja i frikësohet Byrosë dhe tenton ta zvarrisë themelimin e saj.
Partia Demokratike e ka kontestuar për herë të dytë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Pos tij, subjekti më i madh opozitar kontestoi për procedurën e miratimit edhe 15 ligje të tjera që kaluan me shpejtësi brenda një dite në seancën e 5 dhjetorit, duke u shmangur afateve të përcaktuara me rregullore.
Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kontestimi i procedurës po bëhet që të mos krijohet precedent, ndërkaq Byroja për arsyet se nuk i adresoi vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese kur u rrëzua herën e parë.
“Në këta gjashtëmbëdhjetë projektligje ka shkelje pra në procedurë, dhe në ligjin që e fola më herët, në përmbajtje. Në përmbajtje është pothuajse i njëjti që e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese dhe ne normalisht nuk mund të bëjmë kompromis me një çështje të tillë dhe atë e dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Tahiri.
Tahiri i komentoi edhe deklarimet e pushtetit se PDK-ja ka hall personal me Byronë.
Ai tha se ajo do të bëhet, por jo në mënyrë antikushtetuese.
“Pa dyshim që ka nevojë Kosova dhe do ta ketë me Qeverinë e Bedri Hamzës, mirëpo këta nuk janë të interesuar ta bëjnë”, shtoi Tahiri.
Veprimeve të PDK-së iu përgjigj në një konferencë për media shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
Sipas saj, qëllimi i PDK-së është të zvarritet themelimi i Byrosë, së cilës tha se nuk do të mund t’ia justifikojnë pasurinë e fituar kundërligjshëm.
“16 ligjet sot që janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese e kanë vetëm një qëllim. Mbrojtjen dhe zgjatjen e periudhës kohore nga zbatimi i Ligjit për Byronë për konfiskimin e pasurisë... Prapa çdo ligji të dërguar në Gjykatën Kushtetuese gjatë këtyre viteve ruhet një interes i një figure ose një grupimi brenda këtij subjekti politik”, tha Kusari-Lila.
Kusari është shprehur se në seancën e 5 dhjetorit nuk ka pasur shkelje ligjore as në përmbajtje e as në procedurë.