Konstituimi i Kuvendit i ka hapur rrugë partisë fituese të zgjedhjeve, LVV-së, që brenda afateve kushtetuese të angazhohet në krijimin e qeverisë së re. Ndryshe nga ky subjekt që ka shprehur optimizëm se mund të krijojë ekzekutivin e ri, partitë e tjera janë skeptike. LDK-ja thotë se në rast të dështimit të LVV-së, zgjidhje nuk është përpjekja për qeveri nga partitë e ish-opozitës. Ndërsa PDK-ja, duke iu referuar mandatit të presidentit që përfundon brenda pak muajsh, i sheh zgjedhjet e reja si shteg të vetëm të daljes nga kriza
Konstituimi i Kuvendit i ka hapur rrugë rrjedhjes së afatit për zgjedhjen e Qeverisë së re. Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se do të angazhohen në sigurimin e votave të nevojshme. Deputetja Albulena Haxhiu është shprehur e gatshme që të bashkëpunojë me të gjithë deputetët e zgjedhur e partitë e tyre, me përjashtim të atyre të PDK-së e Listës Serbe.
“Lëvizja Vetëvendosje është subjekti me mbështetjen më të madhe nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Prandaj natyrisht që jemi të interesuar që sa më parë të vazhdojmë me procedurat. Saktësisht kur, natyrisht që do të ju njoftojmë. Por, po ashtu krahas kësaj ne do të vazhdojmë komunikimet edhe me deputetët e tjerë në mënyrë që të kuptojmë më shumë nëse kanë vullnet për të qenë pjesë e qeverisjes”, ka deklaruar Haxhiu, pas përfundimit të seancës konstituive.
Por dy partitë më të mëdha deri tash në opozitë, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike nuk shohin të ardhme me formimin e një qeverie të re.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk janë të interesuar për formimin e një qeverie të ish-opozitës, në rast të dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar numrat e nevojshëm.
“Në qoftë se nuk do të formohet qeveria natyrisht që votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jenë për shpërndarje të Kuvendit, sepse nuk mund të mbajmë peng institucionet”, ka thënë ajo.
Afrimi i kohës për zgjedhjen e presidentit, është një nga arsyet që sipas kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më parë.
“Duke pasur parasysh afatet e tjera, skadimin e mandatit të Presidentes dhe obligimin për ta zgjedhur presidentin deri më 4 mars, nuk ma merr mendja se ka hapësirë për ta zgjedhur një qeveri disamujore”, ka thënë ai.
Sa u përket qëndrimeve të PDK-së e LDK-së për shpërndarjen e Kuvendit, nënkryetarja Albulena Haxhiu, ka thënë se nëse ky ka qenë qëllimi i partive opozitare, nuk ka pasur kuptim që të vazhdohet me bllokadën. Por, nuk ka hedhur poshtë as mundësinë e mbajtjes së tyre.
“Nëse qëndrimi i tyre është që të shkojmë në zgjedhje, sepse nuk po e pranojnë rezultatin zgjedhor, atë të 9 shkurtit, atëherë është dashur që ta bëjmë me kohë. Ne konsiderojmë që duhet të vazhdojmë me qeverinë, por natyrisht që nuk përjashtojmë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por jemi të gatshëm që të vazhdojmë me qeverinë apo të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por, këto qëndrime është dashur që të na i thonë me kohë”, është shprehur Haxhiu.
Sipas Kushtetutës, presidentja në konsultim me partinë ose koalicionin që ka shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin për kryeministër. Mandatari ka kohë 15 ditë që të paraqesë përbërjen e Qeverisë e të kërkojë miratimin nga Kuvendi. Kabineti i propozuar, për t’u miratuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë.
Në rast se nuk arrin të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë. Mandatari ka 15 ditë të tjera kohë për të dorëzuar përbërjen e re të kabinetit qeveritar në Kuvend. Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.
Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ka 48 deputetë në Kuvend. Ajo pret përkrahje nga shtatë deputetët e komunitetet pakicë joserbe, e ndërkohë edhe mundësinë e përfshirjes së Nismës Socialdemokrate që ka tri ulëse në Kuvend. Me Nismën është konfirmuar se ka pas negociata, por që nuk kanë prodhuar marrëveshje.