LAJMET E MBRËMJES

Paralajmërohet bashkëpunim me Turqinë për ngritje të kapaciteteve ushtarake

Tre muaj pasi në Kosovë arritën dronët Bayraktar, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar bashkëpunim me Turqinë për t’i ngritur kapacitetet ushtarake. Pas takimit me homologun e tij turk, Yasar Guler, Maqedonci ka kërkuar mbështetje edhe për anëtarësim në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar të martën vazhdim të bashkëpunimit me Turqinë, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Kosovës.

Këtë e theksoi pas pritjes që ia bëri në Prishtinë homologut të tij turk, Yasar Guler.

“Patjetër që ne do të vazhdojmë edhe më tutje të realizojmë marrëveshje të tilla të cilat janë të dobishme për të dyja palët, shkëmbime të përvojave në misionin për të garantuar stabilitet dhe paqe në rajon dhe më gjerë”, ka thënë ministri Maqedonci. “Jemi shumë mirënjohës për përkrahjen që kemi marrë, qoftë përmes trajnimit e po ashtu edhe ngritjen e kapaciteteve ushtarake. Patjetër që ne do të vazhdojmë të realizojmë marrëveshje që janë të dobishme për të dyja palët”.

Kosova bleu në Turqi dronët Bayraktar, të cilët arritën në korrik të këtij viti.

E ministri Maqedonci tha se nga shteti turk pret edhe mbështetjen për anëtarësim të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe e në NATO.

Një mbështetje të tillë e ka premtuar ministri Guler.

Ai kërkoi angazhimin e Prishtinës zyrtare në dialog, me qëllim të vendosjes së paqes edhe në rajon.

“Dialogu është rruga e vetme e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në këtë rajon dhe e ritheksuam faktin që detyrën e komandantit të KFOR-it që e kemi marrë do ta realizojmë me neutralitet dhe transparencë të plotë”, ka thënë Guler. “Ne e përkrahim sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në qarqet ndërkombëtare”.

Ministri i Mbrojtjes së Turqisë është pritur edhe nga komandanti i Forcës të Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari.

Takim ka pasur edhe me presidenten Vjosa Osmani. Pas takimit, Presidenca bëri të ditur se, mes tjerash, është diskutuar edhe për gjendjen e sigurisë në Kosovë e për sulmin terrorist të Serbisë, më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Vizita e ministrit Guler është bërë një javë pasi komandën e KFOR-it në Kosovë për herë të parë e ka marrë Turqia.