Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Yasar Guler, ka thënë se dialogu është rruga e vetme për paqe dhe stabilitet në rajon.
Këto komente ai i ka bërë në një konferencë të përbashkët për media të mbajtur pas takimit që e ka zhvilluar me ministri i Mbrojtjes të Kosovë Ejup Maqedonci.
“E theksuam faktin që duke nisur nga Kosova, paqja lumturia dhe siguria në Ballkan për ne ishte çështje që kanë rëndësi të madhe. Ne themi se dialogu është rruga e vetme e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon dhe theksuam se detyrën që kemi marrë, të komandantit të KFOR-it, do ta respektojmë me neutralitet të plotë”, ka theksuar Guler.
Ai ka thënë se raportet e Turqisë me Kosovën si partner në Ballkan do të vazhdojnë në të gjitha fushat.
“Ne e përkrahim sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në qarqet ndërkombëtare”, është shprehur Guler.
Ndërsa ministri Maqedonci ka thënë se Republika e Turqisë ka qenë dhe vazhdon të mbete partner strategjik për Republikën e Kosovës.
Ai ka theksuar se ka kërkuar nga ministri turk mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për paqe në NATO.
Maqedonci ka thënë se Kosova ka dëshmuar se është e vendosur fuqishëm në funksion të paqes.
“Jemi shumë mirënjohës për përkrahjen që kemi marrë, qoftë përmes trajnimit e po ashtu edhe ngritjen e kapaciteteve ushtarake. Patjetër që ne do të vazhdojmë të realizojmë marrëveshje që janë të dobishme për të dyja palët”, është shprehur Maqedonci.
Ministri turk i Mbrojtjes është takuar edhe me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari.
Osmani takon ministrin turk të Mbrojtjes: Garantimi i sigurisë në vend është prioritet
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Mbrojtjes të Turqisë, Yasar Guler.
Sipas njoftimit për media të Presidencës në këtë takim Osmani ka folur edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovës dhe sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
“Në takim, presidentja Osmani foli edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për aktin e agresionit dhe sulmin terrorist të Serbisë që ndodhi më 24 shtator në Republikën e Kosovës, me ç’rast potencoi se garantimi dhe mbrojtja e sigurisë në vend janë prioritet. Konfirmoi gatishmërinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.
Presidentja thuhet se ka uruar Osmanin për pozitën e tij si ministër në Republikën e Turqisë, si dhe e ka falënderuar “Turqinë e në veçanti presidentin Erdogan për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës”.
Gjatë takimit me ministrin behët e ditur se është diskutuar për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, siç thuhet, me theks të veçantë në trajnimet e FSK-së dhe shkëmbimin e intensifikuar me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të përgjithshëm në fushën e sigurisë.
“Ministri konfirmoi mbështetjen e palëkundur për Kosovën. Më tej, Ministri Guler u shpreh mirënjohës ndaj Republikës së Kosovës veçmas me solidarizimin dhe ndihmën që Republika e Kosovës i pati ofruar Turqisë pas tërmetit shkatërrues në këtë shtet”, thuhet në njoftim.