Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar me pronarin e kompanisë Baykar, Haluk Bayraktar, me të cilin tha se ka biseduar mbi projektet dhe bashkëpunimet e së ardhmes.
Ai ka shkruar në Facebook të hënën se kjo kompani dhe Turqia kanë shprehur bashkëpunim me Kosovën, duke theksuar se “lidhja e fuqishme ndërmjet dy shteteve tona do të vazhdojë”.
“Bashkëpunimi me kompaninë Baykar që është kthyer në kryefjalën e teknologjisë ushtarake me prodhimet e veta, ka bërë që FSK për një periudhë të shkurtër të ngrehë kapacitetet e saj luftarake në nivelin që garanton mbrojtje territoriale dhe siguri për të gjithë qytetarët tanë. Gjatë këtij takimi diskutuam për projektet e radhës në të cilat do të investojmë, dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi përtej blerjeve”, ka shkruar Maqedonci.
Një takim me Bayraktar, të hënën, e ka zhvilluar edhe kryeministri, Albin Kurti. Në një njoftim të kryeministrisë thuhet se në takim Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj Bayraktar për siç thuhet, mënyrën se si është trajtuar me prioritet të lartë çdo blerje e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Kjo sipas tij dëshmon edhe një herë raportet e ngushta ndërmjet Kosovës e Turqisë”.
“Forca e Sigurisë së Kosovës përgjatë dy viteve të fundit është zhvilluar dukshëm sa i përket kapaciteteve luftarake, e padyshim në këtë aspekt përveç rritjes për më shumë se dyfish të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, në mënyrë direkte ka ndikuar edhe bashkëpunimi i shkëlqyer me kompaninë turke Baykar dhe Qeverinë e Republikës së Turqisë me të cilën kemi bërë blerjen e dronëve TB2 dhe pajisjeve tjera më moderne ushtarake”, thuhet në njoftim.
Edhe
Mijëra dronë kamikazë "Skydagger" nga Turqia mbërrijnë në Kosovë
Gjatë takimit, thuhet se Kurti dhe drejtori i kompanisë Baykar, diskutuan edhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit.
Kosova ka blerë muaj më parë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.