Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar takim të rëndësishëm me homologun turk, ministrin Yasar Guler, ku në fokus ishin zhvillimet gjeopolitike, forcimi i kapaciteteve ushtarake të Kosovës dhe thellimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.
Maqedonci vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar se partneriteti ndërmjet dy vendeve është jetik për stabilitetin rajonal.
“Takimi ishte jashtëzakonisht pozitiv dhe produktiv. Diskutuam mundësi konkrete për ngritjen e kapaciteteve të reja të ushtrisë së Kosovës”, ka shkruar ministri në Facebook.
Ai bëri të ditur se një nga temat kyçe të diskutimit ishte funksionalizimi i fabrikës së municionit në Kosovë – një projekt me rëndësi strategjike, që do të fuqizojë ndjeshëm FSK-në dhe do ta bëjë atë më të vetëqëndrueshme në aspektin logjistik. Kosova ka nënshkruar kontratë me një kompani turke për ndërtimin e kësaj fabrike.
Sipas Maqedoncit, ky investim do të pozicionojë Kosovën si një faktor më të fortë në arkitekturën e sigurisë rajonale, duke kontribuar në paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Të dy ministrat u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë, duke e konsideruar atë si element kyç për përballimin e sfidave të përbashkëta në fushën e mbrojtjes.